E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Ushtarakët" malazezë në trafikun e raketave

13/01/2005  TIRANË -Identifikohen personat që kanë siguruar gjashtë raketa tokë-ajër “STRELA 2M”, të cilat u kapën vitin e kaluar, në Fushë-Prezë të Tiranës. Prokuroria e Përgjithshme e Malit të Zi, u ka komunikuar hetuesve shqiptarë identitetin e personave që i kanë porositur raketat në Bosnje dhe kanë mundësuar përcjelljen e tyre deri në brendësi të kufirit të vendit tonë. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, thanë dje se hetuesit malazezë i kanë dërguar në Shqipëri të dhënat e personave që kanë siguruar raketat. Ky shkëmbim informacionesh është bërë me qëllimin për të zbardhur linjën e trafikut të armëve mes dy vendeve. Por malazezët kanë dhënë vetëm identitetin e trafikantëve duke mos treguar asgjë rreth arrestimit apo akuzave të mundshme ndaj tyre. Katër të arrestuarit shqiptarë në afërsi të Tiranës, janë ballafaquar me emrat e shtetasve malazezë dhe kanë dhënë sqarime për bashkëpunimin me këta trafikantë.

Shkëmbimi

Ky ka qenë edhe qëllimi pse Prokuroria malazeze ka vendosur t'i tregojë homologes shqiptare, identitetin e trafikantëve. Ata janë shtetas malazezë dhe disa prej tyre besohet se kanë lënë pas karrierë të shkurtër në struktura ushtarake të fqinjit verior. Ky fakt, konfirmohet nga hetimet e Prokurorisë malazeze, e cila ka filluar një procedim penal për llogari të saj, lidhur me trafikimin e gjashtë raketave “STRELA 2M” nga territori i këtij vendi drejt Shqipërisë. Sipas këtyre hetimeve, vendi nga i cili janë marrë raketat, besohet të jetë një magazinë armatimesh në Bosnje. Dyshimet e prokurorëve vendas flasin për mundësinë e implikimit të disa shtetasve boshnjakë në këtë trafik.

Raketat

Katër persona janë identifikuar si bashkëpunëtorë dhe ndihmës në trafikimin me qëllime shitje, të porosisë që vinte nga Mali i Zi. Në datën 13 dhjetor 2004, në afërsi të Tiranës, në vendin e quajtur Fushë-Prezë, policia zbuloi gjashtë raketa kundërajrore në një mjet që vinte nga Shkodra. Besohet se dy persona i kanë shpëtuar arrestimit, pasi, sipas Prokurorisë, bashkëpunëtorët e trafikantëve kanë komunikuar me njëri-tjetrin me anë të radiove që gjenden në tregun e zi. Katër persona u arrestuan nga reparti i forcave speciale RENEA, nën akuzën e trafikut të armëve me qëllime përfitimi. Sokol Mujaj, Ilmi Isufi, Armir Troshani e Mentor Cani, të gjithë nga qyteti i Shkodrës, janë prangosur në flagrancë, në përpjekje për të trafikuar raketat. Aksioni i policisë u organizua në Fushë-Prezë, pasi nga përgjimet telefonike ishte kuptuar se andej do të kalonte ngarkesa e armëve.

Udhëtimi i ngarkesës Shkodër-Tiranë

Ilmi Isufi dhe Sokol Mujaj, dy nga të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë futur në Shqipëri 6 raketa tokë-ajër në datën 8 dhjetor të këtij viti. Trafikantët kishin planifikuar që mallin ta dorëzonin te një person, i cili është i njohur për Prokurorinë. Ky pjesëtar i rrjetit, ka bërë negociata me të arrestuarit gjatë datave 9 dhjetor deri më 13 dhjetor, kur është rënë dakord, që vendi i dorëzimit të predhave “STRELA 2M” të ishte Fushë-Preza. Policia ka hedhur në shtyp versione të ndryshme mbi vendin ku do të shkonin raketat, por e vërteta, sipas dosjes penale, është se armët që po trafikoheshin ishin nisur për të mbetur brenda Shqipërisë. Ilmi Isufi ka marrë në telefon Armir Troshanin, mbrëmjen e datës 13 dhjetor dhe e ka ftuar në shtëpinë e tij në Dobraç. Troshani, shofer i një kompanie sallami, ka telefonuar po në datën 12 dhjetor, Mentor Canin dhe i ka kërkuar të niseshin për në Tiranë me shkaqe pune. “Benzi” me targa TR 9789 J, është nisur në datën 13 dhjetor nga Shkodra dhe ka ndjekur rrugën e zakonshme drejt Tiranës. Atë mëngjes, në orën 06.30, Ilmi Isufi ka komunikuar disa herë në telefon me të arrestuarit Sokol Mujaj dhe Armir Troshani. Malli është ngarkuar në makinën e mbushur me sallam, ndërsa, sipas marrëveshjes, Troshani do të paguhej 300 mijë lekë të vjetra për rrugën deri në Tiranë. Raketat janë ngarkuar nga Ilmi Isufi dhe Armir Troshani. Mentor Cani dhe Armir Troshani janë nisur drejt Tiranës në një makinë, ndërsa Ilmi Isufi është nisur me një makinë tjetër dhe është lënë të flasin në telefon, kur të mbërrijnë në Tiranë. Ai shoqërohej nga Sokol Mujaj në makinën e tij me targa SH 5945 D. Armir Troshani sapo ka hyrë në Fushë-Krujë, ka folur në telefon me Ilmi Isufin, kur ai bashkë me Sokol Mujajn kanë qenë në Laç. Takimi është lënë te kryqëzimi i Rinasit.

“Një trafikant mund

të jetë i rastësishëm”

Prokuroria e Krimeve të Rënda, tha se njëri nga katër të arrestuarit, besohet se ka qenë rastësisht në makinën ku janë gjetur raketat. Sipas shqyrtimit hetimor të dosjes, ndaj njërit prej katër të arrestuarve, Prokuroria vlerëson se nuk ka prova të forta që e implikojnë në trafik. “Ai mund ta ketë kryer trafikun ose mund të ketë dhënë ndihmesë për transportin dhe shitjen e raketave dhe armëve të tjera të lehta, që janë trafikuar më parë. Por provat ndaj tij nuk janë të mjaftueshme dhe nuk vërtetojnë se, qëllimi i tij ka qenë trafikimi i armëve. Pjesa e dosjes me akuzat dhe provat kundër këtij personi, po rishqyrtohet. Prokuroria tha se po tregohet e kujdesshme me këtë rast, në përpjekje për të mos shkelur të drejtat e njeriut, por edhe për të hetuar ligjërisht dosjen dhe të dyshuarit. T.S.

KRONOLOGJIA E RAKETAVE

8 dhjetor 2004

Nëpërmjet një kalimi kufitar liqenor, Ilmi Isufi dhe Sokol Mujaj transportojnë brenda territorit shqiptar nga Mali i Zi, gjashtë raketa tokë-ajër “STRELA 2M”, me të gjitha pajisjet e tyre përkatëse

9 dhjetor 2004

Blerësi i raketave fillon negociatat me të arrestuarit dhe vendoset që dorëzimi të bëhet në afërsi të Tiranës. Blerësi komunikon me tre nga të arrestuarit

13 dhjetor 2004 (ora 06:30)

Përfundojnë negociatat. Vendoset që Fushë-Preza të ishte “tregu” i shitjes së raketave. Në orët e mëngjesit, katër të arrestuarit komunikojnë në telefon dhe nisen për në Tiranë

13 dhjetor 2004 (ora 14:30)

Forcat e RENEA-s lajmërohen për zhvillimin e një aksioni në Fushë-Prezë. Policia përforcon postblloqet dhe qëndron në pritje të dy makinave me armë

13 dhjetor 2004 (ora 15:20)

Rrengu përfundon me sukses. Raketat përfundojnë në vendin ku priste policia. RENEA sekuestron gjashtë raketat dhe dy makinat e të akuzuarve

Trafiku i armëve

nga Shqipëria

2001

Gazeta e përditshme amerikane “Nju Jork Tajms”, njofton se në kohën e luftës së Bosnjës, disa herë në detin Adriatik janë kapur anije shqiptare, të cilat, pasi janë kontrolluar është zbuluar se kryenin trafik armësh

8 gusht 2001

Në aksin rrugor Kukës-Peshkopi arrestohen katër persona, të cilët dyshohet se në një makinë kishin 12 pushkë, 6 automatikë, 2 mitralozë. Kapen 3 trafikantë nga Shqipëria dhe Kosova

Tetor 2001

Në analizën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, drejtuesit thonë se kanë patur një rast të trafikut të armëve të zbuluar me katër trafikantë të arrestuar

16 tetor 2001

Policia boshnjake arreston gjashtë persona për linjën e trafikut të armëve mes Shqipërisë, Kosovës dhe Bosnjës. Dy nga të arrestuarit e dyshuar ishin oficerë të policisë boshnjake, ndërsa njëri kishte punuar për agjencitë e zbulimit. Kapet ngarkesa me 318 pushkë sulmi, 1008 predha mortajash, 512 granata dore dhe municione të tjera

Kukës

Xhafer Krasniqi, 72 vjeç, arrestohet nga policia. Në banesën e tij në fshatin Orçikël gjenden 5 automatikë dhe 1200 copë fishekësh. Shtëpia e Xhafer Krasniqit mbahej nën vëzhgim si bazë e trafikut të armëve me Kosovën e Maqedoninë

Janar 2003

Ish-ministri Luan Rama, deklaron në analizën e Ministrisë së Rendit, se gjatë vitit 2002, policia ka zbuluar 18 raste për trafik armësh dhe municionesh

3 shkurt 2004

Tri persona arrestohen në fshatin Grudë të Malësisë së Madhe. Mes tyre një efektiv policie dhe një ish-polic. Gjenden 300 kg lëndë eksplozive tritol, pushkë dhe fishekë

11 mars 2003

Arrestohet në Rinas, Enver Jusufi, shqiptaro-maqedonas. I dënuar me 7 vjet burg nga Gjykata e Tiranës, me akuzën e kontrabandës së armëve, zhvilluar në vitin 2000

30 qershor 2003

Policia greke zbulon një kamion me 500 mijë fishekë, i cili kishte kaluar doganën e Kapshticës. Municionet, sipas hetimeve, ishin vjedhur në vitin 1997 gjatë trazirave

15 gusht 2001

Dy ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes, ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, Vlado Buçkovski, akuzon Shqipërinë për përfshirjen e saj në krizën maqedonase, nëpërmjet trajnimit në Shqipëri të njësiteve të guerilëve shqiptarë dhe nëpërmjet trafikut të armëve nga Shqipëria

13 dhjetor 2004

Kapen në Prezë pranë Tiranës tri raketa “STRELA 2M”. Prokuroria tha se ka provokuar blerjen e njërës prej raketave, ndërsa gjatë aksionit u arrestuan katër persona, të cilët thanë se nuk kanë bashkëpunëtorë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›