Burg pa afat 16-vjeçarit, vrau shokun me thikë
17/04/2005 Tiranë- Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës vendosi të pranojë kërkesën e organit të akuzës për të lënë në arrest me burg pa afat një të akuzuar për vrasje mes adoleshentësh. Ridvan Dema, 16 vjeç, akuzohet nga Prokuroria për ekzekutimin me armë të ftohtë të 16-vjeçarit tjetër, Arben Lami. Që të dy ishin me banim në Paskuqan të Tiranës. Sipas policisë dhe prokurorisë, i dyshuari Ritvan Dema, kreu vrasjen e bashkëmoshatarit të tij me paramendim disa ditë pasi mes tyre kishte patur një grindje për motive të dobëta. Gjatë vlerësimit të masës së sigurisë, Dema nuk pranoi të flasë në lidhje me ngjarjen, ndërsa nuk pati kundërshti në lidhje me masën e sigurisë së arrestit me burg pa afat. Ngjarja ndodhi para dy ditësh në mëngjes herët, në afërsi të shkollës së Babrrusë, kur adoleshenti Dema akuzohet se shkoi pranë oborrit të institucionit arsimior dhe qëlloi për vdekje me një thikë 16-vjeçarin Arben Lami, ndërsa ky i fundit po shiste ëmbëlsira për nxënësit. Në të njëjtië zonë pranë kryeqytetit, është rasti i dytë në gjashtë muaj, kur mes adoleshentësh shkolle kryhet një ekzekutim, kryesisht për motive të dobëta.