Inxhinierja e vetëmbytur, do të pyeten shokët për motivin

17/04/2005 Policia ka filluar verifikimin për gjetjen e të gjithë miqve dhe shokëve e shoqeve të 23-vjeçares Blerina Shina, e cila u gjet nga familjarët e vetëvrarur pasditen e djeshme në dhomën e saj. Kjo me qëllim gjetjen e ndonjë shkaku të mundshëm, që duhet ta ketë çuar në vetëvrasje 23-vjeçaren, e cila kishte përfunduar prej një viti studimet e larta, në degën e Inxhinierisë Elektronike. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime të policisë kryeqytetase, të cilat thanë se në letrën, që u gjet në dhomën e 23-vjeçares Shina nuk jepej asnjë shkak i fortë, që mund ta çonte në vetëvrasje. E vetmja gjë që shkruhej aty ishte se ajo kishte vendosur t’i jepte fund jetës, pasi nuk mund të jetonte më. Por, nuk kishte sqaruar shkaqet, që i kishin mërzitur jetën. Ndërkaq, nga marrja në pyetje e familjarëve nuk është arritur të konkludohet në ndonjë shkak apo motiv të ngjarjes. Burimet thonë se prindërit kanë pohuar se vajza e tyre ishte një vajzë e qetë dhe se nuk kishte pasur probleme. Gjithashtu, ata kanë pohuar se nuk dinin që ajo të kishte pasur më parë ndonjë lidhje dashurore, që mund ta ketë lënduar. Hetuesit shprehen se pikërisht për këtë shkak do të pyetet shoqëria e të ndjerës, pasi ata mund të kenë qenë më afër jetës së saj se sa prindërit. Gjithashtu, gjendja ekonomike e familjes ka qenë e kënaqshme dhe nuk mund të ishte një shtysë për ta çuar në vetëvrasje thonë burimet. E vetmja shpresë për të gjetur ndonjë shkak rreth motivit të vetëmbytjes së Shinës është marrja në pyetje e shoqërisë më të ngushtë të saj, pasi dyshohet që ajo mund të jetë dëshpëruar nga ndonjë dashuri e humbur. Ajo u gjet pasditen e të premtes rreth orës 17.00 nga e ëma e vetëmbytur me një shall rozë, në dhomën e saj.