E Hënë, 2 Nëntor 2026

Grinden për lojën e bilardos,plagosin me thikë kundërshtarin

17/04/2005  Grinden për lojën e bilardos, tentojnë të vrasin me thikë një qytetar. Mynir Çerri 28 vjeç nga Dibra dhe Elton Gremi 22 vjeç nga Fieri janë arrestuar dy ditë më parë, nga forcat policore të Komisariatit nr. 1 në kryeqytet, pasi akuzohen nga policia për vrasje të mbetur në tentativë të një personi tjetër. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, të cilat sqaruan se 28-vjeçari Çerri, është personi që mbeti i plagosur qeshorin e vitit 2003, pas një grindje që pati me Ylli Kelmendin. Burimet e policisë pohuan se ngjarja ka ndodhur pasditen e të premtes pranë sheshit “Avni Rustemi” në Tiranë. Sipas burimeve policore, sherri ka nisur për shkak të një loje bilardoje. Gremi dhe Çerri janë grindur me të dëmtuarin dhe më pas e kanë qëlluar atë me thikë, thonë burimet. kanë qenë persona të tjerë ata, të cilët kanë ndërhyrë për shuajtjen sherrit, që mund të kishte degjeneruar në tragjedi për të plagosurin. Ai është shoqëruar menjëherë për në spital, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe ndodhet jashtë çdo rreziku për jetën, theksojnë burimet e policisë kryeqytetase. Ndërkaq, dy të arrestuarit në flagrancë akuzohen për vrasje të mbetur në tentativë në bashkëpunim. Mynir Çerri nga Dibra mbeti i plagosur afro dy vite më parë, në qendër të Tiranës, pas një sherri banal me Ylli Kelmendin. Ngjarja ka ndodhur në sheshin “Skënderbej”, pas një grindje të momentit mes dy personave në fjalë. Sipas dëshmisë së Çerrit atëherë, një automjet ka frenuar para këmbëve të tij dhe të shokut me të cilin po ecte gjatë rrugës, kur një femër, që ndodhej brenda i ka sharë. Ata nuk kanë duruar dhe kanë qëlluar me gurë, por kundërpërgjigja ka qenë me armë. Për këtë plagosje Ylli Kelmendi u dënua nga gjykata.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›