Cigaret kontrabandë, numërohen një nga një gjithë paketat për të konkluduar dëmin
17/04/2005 Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur numërimin një nga një të të gjitha paketave të cigareve kontrabandë të sekuestruara rreth dy javë më parë në Shkozet të Durrësit. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se për të konkluduar në një shifër konkrete të dëmit që i është bërë shtetit nga kalimi kontrabandë i këtyre cigareve, është vendosur të numërohet çdo paketë e sekuestruar. Burimet sqarojnë se duhet më shumë se një javë të kryhet numri një për një i këtyre paketave të cigareve, që paraprakisht mendohet se janë 3 milionë e 590 mijë, në një vlerë afro 4 milionë dollarë. Burimet sqarojnë se është e nevojshme që të ketë një përcaktim korrekt dhe ligjor të të gjitha paketave të cigareve të sekuestruara, me qëllim konkludimin në një rezultat përfundimtar rreth dëmit. Pas numërimit total të të gjitha paketave të cigareve, kjo shifër do të shumëzohet me sasinë e parave të detyrueshme për t’u paguar për çdo paketë për kalmin në doganë. Shifra që do të rezultojë do të jetë edhe dëmi që i është shkaktuar shtetit si pasojë e kalimit të mallit pa çdoganuar në mënyrë kontrabandë, thonë burimet. Ndërkaq, pritet letër-porosia nga Mali i Zi rreth aktivitetit të mëparshëm të këtij grupi të dyshuar, theksojnë burimet. Si përgjegjës të transportimit dhe kalimit kontrabandë të më shumë se 3 milionë e gjysmë paketash cigare, me një vlerë afro 4 milionë dollarë, ku dëmi dyshohet të kapë shifrën e 2 milionë USD-ve. Sasia e madhe e paketave të cigareve kontrabandë u kap në magazinën e Fatmir Zotajt në Shkozet të Durrësit, i cili është shpallur në kërkim. Sipas Prokurorisë, cigaret vinin nga Mali i Zi dhe se anija “Eni”, e drejtuar nga kapiteni 59-vjeçar Bilal Koçi, ka dalë nga porti i Tivarit dhe është nisur për në Shqipëri, më 28 mars në orën 18.30. Të arrestuarit janë Bilal Koçi, Gentian Koçi, Petrit Cila, Ligor Todi, Hamdi Peza, Gëzim Çyrbja dhe Adrian Gokaj. Prokuroria i akuzon ata për aktivitet të jashtëligjshëm në ushtrimin e kontrabandës në bashkëpunim të strukturuar dhe evazion fiskal.