E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vdekja e Ëilli Vajcel, kërkohet informacion nëse ka hetim për vrasje në Gjermani

17/04/2005  Pas verifikimeve paraprake të shkrimeve të mediave gjermane, ku hidheshin dyshimet se agjenti sekret gjerman Ëilli Vajcel mund të ishte vrarë nga qarqe kriminale të Tiranës, është kërkuar informacion zyrtar nga autoritetet e këtij vendi, nëse ka një hetim të tillë. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol”, nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se autoriteteve të drejtësisë gjermane u është kërkuar informacion, nëse këto shkrime janë bazuar në një hetim zyrtar të këtij versioni të Ëilli Vajcel si dhe të shkëmbimit të informacioneve. Kjo, pasi shkrimet gjermane nuk mund të merren si provë për fillimin e një proçedimi penal, për një vrasje të mundshme të agjentit sekret Ëilli Vajcel, thonë burimet. Ato shtojnë se është e nevojshme për një informacion zyrtar të drejtësisë gjermane, nëse ka filluar një hetim i tillë dhe rrethanat, që e kanë iniciuar atë. Kjo, pasi ende nuk ka mbërritur përgjigja zyrtare e letër-porosisë tjetër, për rezultatin e autopsisë së kufomës, e cila nuk u lejua të kryhej në Shqipëri. Burimet thonë se autoritetet gjermane nuk dhanë leje që të kryehej autopsia e agjentit Vajcel dhe se Prokuroria Shqiptare nuk mund të urdhëronte asnjë veprim, pasi personi në fjalë ishte diplomat. Në mediat gjermane citoheshin burime zyrtare të autoriteteve të drejtësisë dhe të sigurisë atje. Në shkrimet për agjentin sekret thuhej se ai mund të ishte ekzekutuar nga mafia shqiptare. Kjo, pasi kishte informacione se Ëilli Vajcel kishte bashkëpunuar me qarqe të ndryshme kriminale në Tiranë dhe nuk i kishte përmbushur dot marrëveshjet e kryera. Ndërkaq, në mediat gjermane citohej se atij nuk i ishte bërë autopsi në vendin e tij(në Gjermani), pasi trupi ishte djegur. Burimet thonë se pas gjetjes së trupit të pajetë të Vajcel-it në banesën e tij në Tiranë, autoritetet gjermane nuk dhanë leje për kryerjen e autopsisë nga mjeko-ligjorët shqiptarë. Ëilli Vajcel, i punësuar si diplomat pranë Ambasadës Gjermane në Tiranë, me detyrë si agjent sekret, u gjet i vdekur në banesën e tij në pallatet pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, më 3 maj të vitit 2004. Aty u gjetën disa lloje barnash, që ai i përdorte për shkak të hipertensionit dhe zemrës, si dhe shishe të boshatisura pijesh alkoolike. Nga teprimi në konsumimin e tyre dhe gjendja e tij shëndetësore dyshohet t’i ketë ardhur edhe vdekja, përfundojnë burimet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›