E Hënë, 2 Nëntor 2026

Burg pa afat dy trafikantëve të drogës

21/05/2005  Pasi u është sekuestruar një pronë në Shkodër dhe disa mjete të tjera, dy bashkëpunëtorët e trafikut të drogës, Flamur Aruçi dhe Altesin Durrësi, janë paraqitur në gjykatë për të mësuar fatin e tyre, lidhur me masën e arrestit. Vendimi u dha nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Kjo çështje u dërgua në këtë shkallë të gjykimit, pasi edhe vepra është trafikim. Mendohet se gjithçka është e organizuar. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka qenë e prerë në kërkesën e saj për të lënë të pandehurit në burg pa afat. Prova e fortë dhe që ndodhet në dosje, është procesverbali i kapjes në flagrancë në 3.2 kg droge të tipit heroinë, e pregatitur për t'u dërguar në tregun italian. Asnjë prej tyre nuk e ka pranuar, edhe pse kjo sasi droge u kap në bagazhin e makinës ku ishin dy të pandehurit, e futur në një çantë të zezë. Aruçi ka një vilë katërkatëshe në Shkodër, e cila tashmë është vënë në sekuestro dhe, nëse ai do të dalë fajtor për këtë krim, gjithçka do të kalojë në favor të shtetit. Në mjetin e të pandehurve, përveç drogës u gjet edhe një mitraloz i lehtë si dhe 3 mijë fishekë. Të pandehurit janë munduar ta kthejnë çështjen në favor të tyre, duke pretenduar se janë përdorues dhe gjithçka e kanë patur për përdorim vetjak. Por një gjë e tillë është kundërshtuar në mënyrë kategorike nga Prokuroria, e cila ka saktësuar se një sasi kaq e madhe droge, nuk mund të mbahet për përdorim të përditshëm. Aq më shumë që të pandehurit u kapën në Tiranë, në përpjekje për të kaluar në Durrës e për të dorëzuar mallin. Kapja e tyre u bë nga forcat e "Shqiponjave". Nga ana e Prokurorisë ekzistojnë dyshime se bashkë me Aruçin dhe Durrësin mund të jenë edhe persona të tjerë bashkëpunëtorë. Për këtë qëllim po punohet dhe në rast se do të dalin emra të tjerë, pozicioni i tyre do të rëndohet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›