E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vrau gjatë grabitjes, kërkon ulje dënimi

21/05/2005  Deklaron para gjykatës së arma i është shkrehur pa dashje

TIRANË – "Mëshirë". Kjo është fjala e fundit e kërkuar nga i pandehuri Eduard Lulo, akuzuar për vjedhje me pasojë vdekjen e një djali të ri brenda në familjen e Kici Nikollës, në një fshat të Përmetit. Eduard Lulo kreu veprën në bashkëpunim me Gentjan Dajlanin, i cili i shpëtoi masës ekstreme të dënimit vetëm për faktin se është i mitur. Ndërkaq, Lulo është munduar të shpjegojë në gjykatë se nuk ka patur si qëllim të vrasë njeri, por arma që kishte në dorë i është shkrepur padashje. Pa bërë asnjë hezitim, madje pa dashur ta bindë njeri, Eduard Lulo ka shpjeguar në gjykatë të gjithë mekanizmin e vrasjes së 21-vjeçari dhe plagosjen e prindërve të tij, që tentuan t'i bllokonin armën automatike. Avokatët e të pandehurve kanë kërkuar një masë ndryshe nga ajo e burgut të përjetshëm, që për një djalë të ri vetëm 18 vjeç, është tepër e rëndë. Për Eduard Lulon, prokurori kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm, ndërkohë që shoku i tij, Gentjan Dajlani, pas kërkesës për dënim me 25 vite burg, duhet të vuaj gjysmën e saj. Shkaku është lehtësimi që i jep ligji. Në momentin e kryerjes së krimit, Dajlani ka qenë nën moshën 18-vjeçare.

Ngjarja

Eduard Lulo një ditë i qahet Gentjan Dajlanit se ishte dobët nga lekët. Kishte marrë shumë borxhe dhe duhej patjetër të gjente mënyrën për të dalë nga kjo situatë. I pandehuri Gentjan Dajlani ishte në klasë me djalin e dytë të familjes Nikolla dhe e dinte se në shtëpinë e tyre kishte para. Kështu, sipas akuzës, ata bëjnë planin e grabitjes. Ndërsa planet i bëjnë të dy, tha prokurori Lulo, maskohet, gjen edhe një automatik, të cilin e mbante të fshehur që nga viti 1997 dhe niset drejt familjes së shtetasit Kici Nikolla. "Para se të futeshin në shtëpi, i ramë fshatit disa herë rrotul për të studiuar terrenin. Unë u futa brenda, pasi u maskova me dorashka dhe kapuç, ndërsa Gentjani qëndroi te porta, me qëllim që të mos njihej nga familjarët. U futa te dera e jashtme e shtëpisë. Por, fillimisht dua të them se na lehu qeni dhe unë vrapova. Sapo u futa kisha armën në dorë dhe qëllova në drejtim të personave që qëndronin në shtëpi. Më zuri syri një djalë, të cilin mbaj mend që e zunë plumbat që dilnin me breshëri nga automatiku që mbaja në dorë. Më pas u përlesha me pjesëtarët e tjerë të familjes, të cilët më kapën armën". Kjo është një pjesë e dëshmisë së Eduard Lulos dhënë para gjykatës. Vendosi të tregojë gjithçka rreth ngjarjes së ndodhur në shkurt të vitit të kaluar brenda në familjen e Kici Nikollës. Nga shkrepjet e automatikut, Eduard Lulo vrau djalin e madh të kësaj familjeje, Paulin Nikolla, vetëm 21 vjeç. I pandehuri 18-vjeçar tregoi me hollësi edhe momentet pas ngjarjes së 8 shkurtit 2004. "Pasi pashë se vrava një djalë, brenda 40-50 sekondash, vendosa të largohesha. Dola nga shtëpia dhe i thashë Gentit të iknim me vrap. Fsheha maskat, por i pafat. Pas 4-5 orësh policia na kapi të dyve", tha i pandehuri Lulo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›