E Hënë, 2 Nëntor 2026

Me kancer në gji, var veten në pemë

21/05/2005  Nëna e tri fëmijëve i jep fund jetës

LUSHNJE - Nëna e tre fëmijëve i jep fund jetës së saj, duke u vetëvarur, pasi një viti vuajtje me sëmundjen e kancerit në gji. Ky është një tjetër rast vetësakrifikimi dhe që rrit numrin e vetëvrasjeve në Qarkun e Fierit.

Ngjarja ka ndodhur të enjten, rreth orës 16.00, në oborrin e shtëpisë së viktimës. Miranda Vrapi, 35 vjeçe, banuese në fshatin Ballagat të Lushnjës, u gjet nga fqinjët e varur në litar. Sipas versionit të policisë së Lushnjës, ngjarja tragjike ka ndodhur për shkak se ajo kishte një vit që vuante nga sëmundja e rëndë e kancerit të gjirit. Ky besohet se ka qenë shkaku i rënies në depresion të gruas së re, nënë e 3 fëmijëve të vegjël.

Miranda Vrapi, bijë e fshatit Karbunarë e Vogël, ishte martuar në fshatin Ballagat, 13 vjet më parë. Ajo kishte tri fëmijë ende të vegjël, por vetëm 11 muaj më parë kishte mësuar se vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Stresi dhe shqetësimi për të nesërmen kanë shtuar vuajtjet e nënës së re, e cila ka rënë në depresion kohët e fundit për braktisjen e fëmijëve.

Dobësia e saj ka arritur kulmin dy ditë më parë, kur me ndihmën e një litari, të cilën e kishte lidhur në degën e një peme në oborr, duke përfituar nga mungesa e bashkëshortit, ajo i ka dhënë fund jetës.

Ky është rasti i 15 i vetëvrasjeve në rrethin e Lushnjës për këtë vit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›