Burg pa afat "hajdutëve" të dyqaneve në Tiranë
13/03/2005 Gjykata e Tiranës vendosi të lërë në burg pa afat pesë të pandehurit, akuzuar për grabitje të disa dyqaneve në Tiranë. Kërkesa për të lënë në burg të pandehurit u bë nga organi i Prokurorisë, i cili paraqiti si prova disa akte ekspertizash të gjurmëve të gishtave të gjetura në vendngjarje. Gazmend Cani, ose i quajtur ndryshe nga shokët e ngushtë si "Gazi i Dijes", Ledio Shehaj, Festim Gici, Ilir Bregi dhe Besmir Fetishi, janë të pandehurit, të cilët dje u paraqitën në gjykatë me pranga në duar, për të mësuar rreth fatit të tyre. Vendimi u dha nga gjyqtari i gatshëm i Shkallës së Parë Tiranë. Mësohet se asnjë prej të pandehurve nuk e kanë pranuar akuzën e vjedhjes, edhe pse kundër tyre u paraqitën disa prova, që për prokurorin janë të pakundërshtueshme. Të pandehurit, u tha nga Prokuroria, e kanë ushtruar veprimtarinë e tyre kriminale në disa zona të njohura te dyqanet e shtrenjta në Tiranë. Kështu, ata kanë grabitur në periudha kohore të ndrshme dyqane në zonën e ish-bllokut, në bulevardin "Bajram Curri" dhe në rrugën "Myslym Shyri". Pas dhënies së masës së arrestit burg pa afat, të pandehurit u dërguan në dhomat e paraburgimit, në pritje të fillimit të shqyrtimit gjyqësor.