E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Burg pa afat”, masakruesit të grave

23/02/2005  Të akuzuarit mohojnë akuzat, fajësojnë njëri-tjetrin

SHKODËR - Gjykata e rrethit Shkodër vendosi dje masën e sigurimit “burg pa afat” për dy të akuzuarit, si autorë të ngjarjes së 14 shkurtit të këtij viti, 19-vjeçarin Ervin Çeliku dhe 26-vjeçarin, Mirsad Kosova. Avokatët e Shkodrës, refuzuan mbrojtjen e këtyre dy personave.

Seanca u drejtua nga kryetari i Gjykatës së rrethit Shkodër, Admir Thanza. Kjo seancë rrezikohej të shtyhej për shkak të vështirësisë që u has në gjetjen e avokatëve mbrojtës të dy të akuzuarve. Arsyeja e mosgjetjes ishte mungesa e dëshirës për marrjen në mbrojtje nga ana e avokatëve të këtyre dy personave. Duke qenë se të pandehurit nuk arritën që të gjenin avokatë mbrojtës, atëherë ishte gjykata që i caktoi atyre nga një avokat. Prokuror i çështjes ishte Lazër Çardaku, i cili, në bazë të provave dhe informacioneve të mbledhura, bëri një përmbledhje të ngjarjes së ndodhur.

Në seancën e djeshme kanë shpjeguar dhe pozicionet e tyre dy të akuzuarit. Çeliku ka pohuar se e ka gjetur veten në kurth nga shoku i tij, ndërsa fati i ka bërë dhe një “lojë” tjetër. Pas ngjarjes, ku ai, në mos bashkëpunëtor, ka qenë dëshmitar, Ervini ka qenë dhe një ndër njerëzit e parë që ka ndihmuar të afërmit e dy të plagosurve të familjes Xhaka për t’i çuar Shpresën dhe Fatlindin në spital.

Varianti zyrtar

Dy të rinjtë, Kosova dhe Çeliku, duke qenë se njiheshin me familjen Xhaka kanë shkuar në shtëpinë e tyre me preteksin që ta porositnin të zotin e shtëpisë, Brahimin, për t’i blerë një palë këpucë në Mal të Zi. E zonja e shtëpisë, Shpresa, duke qenë se i njihte ia ka hapur derën atyre. Hapja e derës është shfrytëzuar për të hyrë brenda dhe për të kryer krimin, ku mbeti e vrarë fqinja, Sabrie Qosja dhe u plagosën e zonja e shtëpisë, Shpresa Xhaka me të birin, Fatlindin. Pasi kanë kryer krimin, të akuzuarit janë larguar me vrap nëpër rrugicë, duke hedhur dhe pistoletën me silenciator, tip “Zastava”, në një pellg me ujë, disa metra larg banesës së familjes Xhaka.

Nga përgjimet telefonike, që janë të dokumentuara, këta dy persona të nesërmen kanë ndenjur përsëri bashkë dhe kanë diskutuar për ngjarjen. Gjithashtu, theksoi prokurori, përveç Ervin Çelikut, që ka pasur hyrje dhe dalje familjare me familjen Xhaka edhe Mirsad Kosova ka pasur njohje me Brahim Xhakën. I pari, Çeliku është komshi me vëllanë e Brahimit, Fahri Xhakën, gjë që ka krijuar lidhje miqësore mes dy familjeve, Xhaka dhe Çeliku. I dyti, Kosova është njohur me Brahimin pak kohë më parë, kur ai ka dashur t’ia shesë makinën e tij tip BMV, për të cilën nuk kanë rënë dakord.

Në vendngjarje, është shprehur përfaqësuesi i organit të akuzës, kemi gjetur 4 gëzhoja dhe dy plumba të një pistolete me silenciator tip “Zastava”, pellgjet me gjak si dhe pas kontrollit të ushtruar në shtëpitë e të pandehurve kanë gjetur rroba me gjak, të cilat i janë dërguar ekspertëve për të bërë analizat dhe për të nxjerrë konkluzionet përfundimtare.

Dëshmitë që kanë pasur si dhe provat materiale kanë bërë që prokurori i çështjes të dalë me akuzën ”Vjedhje me armë në bashkëpunim me pasojë vdekjen” si dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Dëshmia e Ervin Çelikut

“Unë ndihmova të plagosurit”

Më pas ngjarjen e ka treguar Ervin Çeliku. Ditën e ngjarjes kishin qenë duke pirë kafe bashkë dhe Mirsadi i kishte kërkuar të shkonin në shtëpinë e Brahimit se mos e gjenin në shtëpi për t’i lënë porosi, blerjen e një palë këpucëve. Kur kishin mbërritur te dera e oborrit i kanë rënë ziles dhe pas pyetjes së Shpresës se kush ishte, Ervini, duke mos ditur se Mirsadi kishte për qëllim grabitjen, i kishte thënë ta hapte derën se ishte djali i Bajramit.

Sipas deponimeve të Ervinit, ai ka pyetur nëse është Brahimi në shtëpi se duam që t’i porosisim një palë këpucë për t’i blerë në Mal të Zi. Shpresa kishte vënë re se kishin një çadër të vogël dhe ishin lagur dhe për këtë arsye i kishte thënë të prisnin sa t’i sillte një çadër tjetër. Momenti që ajo është futur brenda e ka shfrytëzuar Mirsadi, i cili është futur me shpejtësi pas saj. Krisma nuk kishte, por e bërtitura e Shpresës e ka trembur Ervinin, i cili ka deklaruar dje se është larguar me vrap në shtëpinë e tij pa mësuar se çfarë kishte ndodhur. Ngjarjen që kishte ndodhur Ervini e kishte mësuar më vonë kur në shtëpinë e tij ka shkuar kunati i Shpresës, Fahria, i cili ka shkuar për t’i kërkuar ndihmë babait të tij që kishte të njohur në spital, duke treguar për fatkeqësinë që kishte ndodhur në shtëpinë e vëllait të tij. Duke qenë se babai i Ervinit nuk ndodhej në shtëpi, ka qenë ai vetë që e ka shoqëruar Fahrinë në spital. Në darkë vonë ka qenë Mirsadi, që i ka telefonuar për të ditur se ku është dhe ai i ka treguar se ndodhej në spital te të plagosurit dhe e ka pyetur atë se çfarë e përse e ka bërë këtë krim. Sipas Ervinit, Mirsadi e ka kërcënuar që të mos flasë se e njëjta gjë do t’i ndodhë edhe atij. Të nesërmen në mëngjes, përsëri Kosova e ka marrë në celularë dhe më pas kanë qëndruar bashkë, ku Mirsadi i ka treguar për ngjarjen, si dhe për vendin ku e kishte hedhur pistoletën.

Dëshmia e Mirsad Kosovës

“Po më merrni në qafë, jam i pafajshëm

Nga ana tjetër, Mirsad Kosova, ka mohuar vrasjen dhe çdo gjë që ka thënë prokurori, duke theksuar se nuk kishte pasur aspak njohje me Brahim Xhakën dhe se edhe me Ervinin kishte pak shoqëri, vetëm sa pinin ndonjëherë kafe me të.

Sa për këpucët është shprehur ai, akoma nuk janë mbushur dy javë që i kam blerë dhe për para nuk kam pasur nevojë dhe nuk kam shkuar të grabisë njeri.

Në fund, ai është shprehur se “jam i pafajshëm dhe nuk i kam kujt borxh e as më ka kush borxh, po më merrni në qafë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›