E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gurabardhi 10 ditë kohë për ankimim

23/02/2005  I dënuari në mungesë mund të rikthejë përsëri dosjen për rigjykim

ELBASAN - Andi Gurabardhi, i dënuari në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasjen e një gruaje dhe të një polici, ka të drejtën të kërkojë rigjykim. Ndërsa këtë “gatishmëri” e kanë shprehur familjarët e tij, duhet ta konfirmojë vetë i burgosuri, i cili brenda dhjetë ditëve nga arrestimi ka të drejtën të depozitojë një kërkesë për të kërkuar rikthimin e çështjes në gjykatë.

Në bazë të ligjit, autori i dënuar në mungesë ka të drejtë të rikthejë seancat gjyqësore dhe të kërkojë avokat mbrojtës, pasi kjo nuk ka ndodhur, kur ai është dënuar nga gjykata e Elbasanit. Dhjetë ditë nga ora 00.03 e mëngjesit të së shtunës, kur Gurabardhi pranoi të vihej në duart e RENEA-s duhet të zbatohet e drejta e kërkesës për rigjykim dhe do t’i mbetet gjykatës së Elbasanit që të vendosë nëse do ta kthejë apo jo këtë çështje. Ndërkohë, nëse kërkesa e Gurabardhit do të hidhet poshtë nga Gjykata e Faktit të Elbasanit, atëherë të dënuarit i mbetet apelimi në Durrës.

Jo vetëm familja e Gurabardhit ka qenë e vendosur për të kërkuar gjykimin e Andit. Gjithashtu edhe bashkëshortja e Florenc Ballës, Drita, ka kërkuar të dëgjojë edhe versionin e vrasësit të të shoqit. Zërat për një version të ndryshëm të ngjarjes kanë sjellë dyshime edhe te familja e policit të vrarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›