E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vritet me armë zjarri punëtori i ndërtimit

23/02/2005  Asnjë gjurmë për autorin

VLORË - Dy plumba pistolete i kanë marrë jetën 35-vjeçarit Jani Gjikuria me banim në fshatin Dhërmi. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20.00 të mbrëmjes së hënës. Sipas burimeve zyrtare të policisë, dy net më parë është vrarë me dy plumba pistolete shtetasi Jani Gjikuria, nga një person ende i paidentifikuar. Vrasja e 35-vjeçarit është bërë pranë shtëpisë së tij, në kohën që po kthehej në shtëpi. Viktima Gjikuria ka punuar si ndërtues objektesh në zonën e Dhërmiut dhe të Himarës.

Ngjarja

Në kohën që po kthehej në shtëpi, shtetasi Jani Gjikuria është takuar në rrugë nga një person i panjohur. Pas disa minutash bashkëbisedimi, rreth orës 20 të mbrëmjes, i panjohuri ka qëlluar dy herë me pistoletë shtetasin Jani Gjikuria, një herë në kokë dhe një herë në bark, dhe më pas autori i ngjarjes është larguar me shpejtësi, duke përfituar dhe nga errësira e plot. Kalimtarë të rastit dhe banorë të fshatit kanë dëgjuar krismat dhe kanë parë 35-vjeçarin të binte në tokë. Banorët kanë dalë jashtë për të parë se çfarë ka ndodhur, por janë përballur me 35-vjeçarin të mbuluar nga gjaku. Menjëherë e kanë marrë dhe e kanë dërguar në spital për t’i dhënë ndihmë mjekësore, por dhe pse ndërhyrja ka qenë e shpejtë, Jani Gjikuria ka vdekur mbas 30 minutash, si pasojë e dëmtimit në kokë dhe në organet e trupit si dhe humbjes së gjakut.

Hetimi

Policia e rendit të postës së Himarës dhe Dhërmiut është lajmëruar shum shpejt për ngjarjen dhe kanë mbërritur në vendngjarje brenda disa minutash. Blutë kanë bllokuar të gjitha rrugët hyrëse dhe dalëse nga Dhërmiu, por pa mundur të identifikojnë dhe të kapin vrasësin. Jani Gjikuria ka punuar si ndërtues i disa objekteve, në zonën e Dhërmiut dhe të Himarës. Nga banorët e fshatit Dhërmi njihej si djalë i rregullt pa asnjë problem, pa konflikte të hapura dhe pa borxhe. Për zbardhjen e ngjarjes ka shkuar në ndihmë dhe policia e komisariatit të Vlorës, me grupin e ekspertëve dhe të policisë kriminale me qëllim zbardhjen e ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe kapjen e tyre. Sipas policisë, aktualisht po punohet në disa pista të mundshme, me shpresë se gjithçka do të zbardhet shumë shpejt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›