E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pranga për njërin prej vrasësve

23/02/2005  Në kërkim dy të tjerët

BERAT - Është prangosur dhe është dërguar në dhomat e paraburgimit, dje në mesditë, një nga autorët e vrasjes të 35- vjeçarit Ramazan Cingo, banor i lagjes “Barikadë”. Sipas burimeve të policisë, dje në mesditë, policia kriminale në bashkëpunim me atë të Rendit në Berat, ka prangosur dhe ka shoqëruar për në dhomat e paraburgimit, 20-vjeçarin Ervin Lekli, banor i të njëjtës lagje, por që dyshohet si autor në bashkëpunim edhe me dy shokët e tij të vrasjes të babait të tre fëmijëve Cingo. Burime të policisë, thanë për gazetën se Lekli ka qenë i fshehur në një familje të njerëzve të tij të afërm, në lagjen “Çlirim” dhe pasi është zbuluar vendndodhja e tij është bërë edhe arrestimi nga policia.

Po dje, burime të policisë thanë për gazetën se autori, i cili ka qëlluar mbi viktimën me thikë, duke i sjellë vdekjen e menjëhershme është Emiliano Diçori, i cili ndodhet ende jashtë prangave të policisë, së bashku me autorin tjetër Erjon Këmbaci.

Të njëjtat burime thanë për gazetën, se mbi të arrestuarin dhe dy shokët e tij rëndojnë akuzat e vrasjes me dashje në bashkëpunim.

Dje në mesditë, familjarët dhe të afërmit e viktimës kanë përcjell për në banesën e fundit, babanë e tre fëmijëve, ku kanë marrë pjesë edhe të afërmit e autorëve të vrasjes.

Polica ka përcjell për në organin e akuzës, dosjen për të vazhduar hetimet e mëtejshme rreth shkaqeve, që çuan në vrasjen e babait të tre fëmijëve.

Ngjarja për të cilin policia arrestoi dje në mesditë 20-vjeçarin Lekli dhe ka shpallur në kërkim dy autorët e tjerë të vrasjes Deçori e Këmbaci, ka ndodhur në orët e vona të së hënës në vendin e quajtur gjashtëkatëshi, në afërsi të lagjes “Çlirim”. Sipas burimeve të të afërmve të familjes, tre ditë më parë vajza e viktimës i ishte ankuar të atit se nuk dilte dot nga shtëpia se e ngacmonin tre djem, po nga e njëjta lagje. Më pas viktima ka shkuar për të biseduar me tre djemtë, që i ngacmonin vajzën. Gjatë bisedës viktima me tre djemtë është grindur, pasi ata e kanë kundërshtuar dhe njëri nga djemtë e ka goditur me thikë viktimën disa herë, deri sa ka rënë i për tokë i gjakosur, dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur, duke përfituar edhe nga errësira.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›