E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Ndërkombëtarizohet” protesta e Kakomesë

23/02/2005  Banorët “ngujohen” para fadromës, policia në pritje

SARANDË – Banorët e Kakomesë e kanë “ndërkombëtarizuar” protestën e tyre. Dje, dhjetëra emigrantë kanë protestuar para parlamentit grek në Athinë, ndërsa gazetarë të mediave greke, ishin dje prezent te “Gryka e Prodanit”.

Ndërkohë, dje, punimet për ndërtimin e fshatit turistik në gjirin e Kakomesë ishin të ndërprera nga protesta e banorëve të fshatit Nivicë, megjithë praninë e përforcuar të policisë.

Banorët “ngujohen” para fadromës

Situata ngelet e tensionuar, pasi banorët e Nivicës ngelen të betuar, siç thonë ata, “do të vdesim ne dhe fëmijët tanë për tokën e Kakomesë”.

Gjatë ditës së djeshme, gjashtë djem nga ky fshat ju çonin bukë “të ngujuarve” para fadromës. Transporti i ushqimeve për në vendin e protestës nga fshati Nivicë, 3 km larg, realizohej me kafshë ngarkese nga të rinjtë e fshatit, shumica prej tyre të ardhur nga Greqia, tri ditët e fundit me tragetet e linjës Sarandë–Korfuz dhe autobusët që lëvizin në linjën Athinë-Sarandë.

Gjatë 24 orëve të fundit kanë mbërritur në Grykën e Prodanit,ku është penguar vazhdimi i punimeve dhjetëra emigrantë të fshatit Nivicë nga qytete të ndryshme të Greqisë si Athinë, Patër, Selanik dhe nga ishullli i Korfuzit. Numri i protestuesve po rritet, ndërkohë që dhe numri i forcave policore është në rritje, pasi kanë mbërritur përforcime.

Policia përforcohet në numër

Pas përleshjeve të ashpra midis banorëve dhe forcave të shumta policore të ardhura nga Gjirokastra, Vlora dhe Tepelena, ndërtimi i rrugës duket thuajse i pamundur, pasi protestuesit kanë bllokuar të gjitha hyrjet që të çojnë në gjirin turistik. Të dy palët, qëndrojnë në pritje përballë njëra–tjetrës.

Pas ndërprerjes së punimeve, policia dhe banorët ndodhen në një distancë 300 m nga njëri-tjetri.

Sipas burimeve të policisë, mësohet se ka një shtim të forcave. Qëllimi i ardhjes së policisë, sipas drejtuesve të uniformave blu, është të sigurojë jetën e drejtuesve të mjeteve, që do të angazhohen për hapjen e rrugës Krekez–Kakome, 2.5 km e gjatë.

Policia nuk ka marrë asnjë urdhër për të vepruar, ndërkohë që banorët kanë qenë në gatishmëri për të reaguar sërish, në rast të rifillimit të punimeve.

Emigrantët protestë para parlamentit grek

Emigrantët kanë protestuar dje para parlamentit grek.

Në kuadrin e protestës që fshati Nivice po organizon për pengimin e punimeve të ndërtimit të një fshati turistik në Kakome, emigrantë nga ky fshat kanë protestuar para parlamentit helen.

Sipas mediave greke mësohet se në protestë kanë marrë pjesë 200 emigrantë nga Nivica dhe fshatra të tjerë të bregdetit.

Protestuesit mbanin në duar parulla, ku shkruhej, “Mos e zaptoni Kakomenë”, “Larg duart nga toka jonë” etj.

Protesta është ndjekur nga afër nga policia greke, ku nuk janë shënuar përplasje midis dy palëve.

Kjo është protesta e parë e këtij lloji në kryeqytetin grek. Sipas informacioneve të fundit, protestuesit do të mblidhen sërish në një nga sheshet e Athinës.

Gazetarët grekë mbërrijnë në Kakome

Paraditen e djeshme, në grykën e Prodanit, ku realizohet protesta e fshatit Nivicë për ndërprerjen e punimeve të fshatit turistik, kanë mbërritur dy gazetarë dhe tre operatorë të stacioneve televizive greke, Antena dhe Mega. Ata kanë marrë kontakt me banorët, kanë filmuar çaste nga protesta e tyre, ndërkohë që janë larguar sërish për në ishullin e Korfuzit.

Porsa kanë mbërritur mediat greke janë dëgjuar thirrje të forta nga banorët e Nivicës për ndërprerjet e punimeve në gjuhët shqip dhe anglisht.

Sipas njoftimeve të gazetarëve grekë, mësohet se ata do të rikthehen për të pasqyruar zhvillimet e mëtejshme të kësaj ngjarjeje.

Banorët, letër publike Nanos e përfaqësuesve ndërkombëtarë

“Po na shpronësojnë me ligje antikushtetuese”

Banorët e zonës së Kakomesë kanë reaguar dje në një letër publike drejtuar kreut të qeverisë, Fatos Nano. Në letrën e tyre, ata shkruajnë se vetë Nano, në mënyrë të përsëritur, ka kërkuar që të respektohen të drejtat e shenjta të pronësisë mbi tokën e bregdetit. Por, vazhdon letra “nga ana juaj me hapa konkret që po bëhen në Kakome po vërtetohet se nuk po hiqni dorë nga grabitja e pronës legjitime të bregdetit në tërësi, për interesa të klaneve tuaja”.

Sipas banorëve, janë nxjerrë ligje antikushtetuese, të cilat shpronësojnë pronarët e ligjshëm, pasi, sipas tyre, bregdeti nga Uji i Ftohtë në Vlorë e deri në Butrint në Sarandë është pronë e banorëve të zonës në çdo metër katror. Banorët i kanë kërkuar kreut të qeverisë që të largojë forcat policore që të shmangen përplasjet me banorët si dhe të bëhet një mastërplan zhvillimi, të cilin pronarët janë të gatshëm që ta zhvillojnë sipas kushteve të ekonomisë së tregut.

E njëjta letër e bërë publike dje i është dërguar përfaqësuesit të BE, Lutz Salzman, përfaqësuesit të OSBE zotit Pavel Vaçek, ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ries si dhe ambasadorëve të Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, Italisë.

Në letrën e dërguar nga përfaqësuesit e banorëve të Kakomesë dhe të shoqatave bregdetare, bëhet e ditur se qeveria ka provokuar një konflikt me banorët dhe se situata e përsëritur tani ka arritur një pikë tensionimi. Përfaqësia e shoqatës AK ”Bregdeti” ka kërkuar ndërhyrjen e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e këtij rasti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›