E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg pa afat për Artan Kriston

DURRËS- Gjykata e Durrësit ka vendosur sot masën e sigurisë burg pa afat për Artan Kriston akuzuar për nxitje të veprimeve terroriste. Gjatë seancës së sotme, Kristo i vetëquajtur, Muhamed Abdulla i arrestuar pak ditë më parë me urdhër të Prokurorisë, është mbrojtur duke thënë se fjalët e tij janë keqkuptuar.
"Prokurori nuk i kupton ato fjalë. Jam i pafajshëm, nuk meritoj të qëndroj pas hekurave, pasi fjalët janë të shkëputura nga konteksti i fjalimit prej 60 minutash", ka thënë ai.

I akuzuari kërkoi më pas t’i lihej masa e arrestit “detyrim paraqitje’ për shkak të problemeve familjare. Ndërsa avokati mbrojtes deklaroi se po shkeleshin të drejtat e njeriut dhe se përgjimet e SHISH-it janë të paligjshme, ndërsa iu refuzua kërkesa për njohjen me to nga organi i akuzës.
Avokati deklaroi se kishte patur përpjekje për rekrutimin e të akuzuarit nga shërbimet sekrete.

Artan Kristo, i akuzuar për nxitje, thirrje publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste rrezikon 10 vjet burg. Kështu sipas nenit 232 pika A thuhet se "Nxitja, thirrja publike, shpërndarja e shkrimeve ose propogandave në forma të tjera që synon mbështetjen ose kryerjen e një apo më shumë veprave për qëllime terroristë dhe për financimin e terrorizimi nëse nuk përbën vepër tjetër penale dënohet nga katër deri në dhjetë vjet burg".
(e.n/News24/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›