Mançini “ndez” para kohe derbin
20/03/2005 Duhen edhe dy javë që Milani e Interi të përballen në Ligën e Lkampioneve, por trajneri zikaltër, Roberto Mançini nxeh që tani atmosferën: “Oraret që Liga ka bërë të ditura për ndeshjet tona të ditëve të shtuna, nuk më pëlqejnë shumë”. Fillon në këtë mënyrë polemika e parë në prag të derbit, për shkak të orareve të ndeshjeve të Interit në javët para derbit. “Na u tha që do të luanim në 2 prill në Bolonja, në orën 18, ndërkohë që një javë më vonë do të luanim kundër Kaljarit në 20.30, ndërkohë që tani kanë mdryshuar gjithçka”, vazhdon Mançini i cili shpjegon problemin: “Nëse luajmë jashtë fushe në orën 20.30, do të thotë që duhet të kthehemi në Milano natën vonë dhe në këtë mënyrë shkatërrojmë përgatitjen e një dite më pas”. Pasi hap një polemikë, trajneri interist kërkon të mbyllë një tjetër, në lidhje me një grindje të përfolur me Adrianon: “Një gjë është grindja, një tjetër është zemërimi. Midis nesh nuk ka pasur asnjë zënkë, Adriano thjesht ka thënë që u zemërua që nuk luajti në derbi, por të gjithë lojtarët zemërohen kur nuk luajnë. Gjithsesi, unë nuk kisha ndërmend ta lija jashtë me qëllim që të rekuperohej”. Sot është ndeshja me Fiorentinën: “Do të jetë një ndeshje e rëndësishme, sepse duhet të fitojmë për të qëndruar në zonën e vendit të tretë. Fiorentina është një skuadër e fortë dhe në ringritje, por ne na duhen tre pikët”, vazhdon Mançini, i cili e mbyll me një batutë për sulmin: “Vieri e Martins nuk janë mirë, ndaj do të luajnë Kruz e Adriano”.