E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pavioni i ri për dializë dhe ekzaminimet kardiostres

27/02/2005  Spitali i Milanos, aparatura kardiovaskulare për spitalin e Elbasanit

ELBASAN - Bashkëpunimi dhe insistimi i një mjeku shqiptar dhe një kolegu të tij nga spitali San Rafaele, të Milanos, ka sjellë në qendrën spitalore "Xhaferr Kongoli" një serë aparaturash për diagnostikimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Për herë të parë në Elbasan të sëmurët do të kenë mundësi të mësojnë diagnozën e saktë të konsultuar edhe nga mjekët italianë të spitalit publik. Me anë të një organizate humanitare, janë sjellë të gjitha aparaturat dhe shërbimi spitalor do të ketë mundësi t’i shërbejë edhe me anë të këtij diagnostifikimi, që do të zgjidhë mjaft dilema të mjekëve. Sipas mjekut kardiolog Altin Palloshi, i cili mund të cilësohet edhe protagonisti i hapjes së këtij laboratori, në këtë repart do të mundësohet edhe ekzaminimi i gjendjes kardio-stres të pacientëve. Aktualisht në asnjë qendër spitalore nuk ofrohet ky shërbim, ndërsa do të jenë në funksion të gjitha ekzaminimet kardiovaskulare, të cilat do të largojnë sorollatjet dhe shpenzimet për të udhëtuar jashtë shtetit, apo edhe në kryeqytet. Ndërkohë, po në qendrën spitalore "Xhaferr Kongoli" pas katër vjetësh ka filluar nga funksioni i repartit të hemodializës.

Qyteti i Strugës dhe veçanërisht spitali kanë bërë të mundur rihapjen e repartit të dializës në qendrën spitalore dhe mësohet se aktualisht prej 15 ditësh trajtohen vetëm tre pacientë. Prej katër vjetësh ky repart qëndronte i mbyllur, megjithëse aparaturat janë dhuruar në kuadër të bashkëpunimit shqiptaro-italian, i cili bërë të mundur sigurimin e mjeteve për këtë pavion.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›