Mashtrimi me tendera, arrestohet 42-vjeçari
Vlorë- Një 42-vjeçar nga Novosela kishte gjetur një mënyrë të mirë për t’u pasuruar. Nëpërmjet mashtrimit dhe duke u prezantuar si biznesmen në fushën e ndërtimit, hynte garant te ndërtues të tjerë se do t’i ndihmonte ata të që të fitonin tenderat që kishin të bënin me ndërtimin e rrugëve. Por jo për shumë kohë, njëri prej të dëmtuarve kishte vendosur të denonconte “biznesmenin”, të cilit i kishte dhënë 1 milion lekë në këmbim të këtij favori.
Kështu mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:30 në kuadër të operacionit të koduar “Mashtrimi me Tendera Nr. 2” nga Seksioni i Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë, në bashkëpunim me Taskë-Forcën Kundër Krimit Financiar në Prokurorisë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, u bë kapja dhe ndalimi i 42-vjeçarit Virjon Barxhaj, banues në fshatin Novoselë dhe u shpall në kërkim një person tjetër.
Sipas burimeve nga policia e Vlorës bëhet e ditur se ndalimi i këtij shtetasi, dhe shpallja në kërkim, u bë pas hetimeve disamujore me metoda speciale, pasi dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë të ketë përvetësuar nga shtetasi S. K. shumën prej 1 000 000 (një milion) lekë, me pretendimin se do ta ndihmonte për të fituar një tender publik për ndërtimin e një rruge automobilistike.
I arrestuari, në bashkëpunim me persona të tjerë, janë shtirur si persona me shumë njohje e influenca dhe kanë premtuar të ndërmjetësojnë për firmën që të merrte një tender. Me pretendimin se do e ndihmonte, i ka marrë denoncuesit shumën e lekëve.
Po të njëjtat burime kanë saktësuar se ndaj 42-vjeçarit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin Nr.249 datë 19.06.20011, ka caktuar masën e sigurisë personale “Arrest në burg”. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprën penale “Mashtrimi” i kryer në kushtet e bashkëpunimit parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal. Ndërkohë, burime nga policia e qytetit bregdetar kanë bërë me dije se për 42-vjeçarin priten denoncime të tjera.