E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet personi i dytë për vrasjen për hakmarrje në Selenicë

SHKRUAN: Ervin Haruni 22-06-2011 11:20

VLORË- Policia e Vlorës ka tashmë jo vetëm të zbardhur ngjarjen që ndodhi në Selenicë, ku u ekzekutua 62-vjeçari Baftjar Llanaj, por edhe autorët e krimit. Paraditen e djeshme në kuadër të operacionit të koduar “Hotima”, nga Sektori i Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë në bashkëpunim dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë si dhe mbështetjen e repartit FNSH Fier u bë e mundur kapja dhe ndalimi i 38-vjeçarit Ardian Azizi nga Selenica. Siç bëri me dije në një deklarim për shtyp drejtoria e policisë së Vlorës, nëpërmjet zëdhënësit të saj Dionis Dulaj, “ndalimi i këtij shtetasi u bë për arsye se më 14 qershor të këtij viti rreth orës 18.30, në aksin rrugor Vlorë-Selenicë, në vendin e quajtur ‘Bishti i Malit’ në bashkëpunim me vëllanë tij, shtetasin Fatmir Petraj, dyshohet të kenë vrarë me armë zjarri tip automatik Batjar Llanaj, vjeç 62, lindur dhe banues në Selenicë.

Në momentin e ekzekutimit, viktima ka qenë duke udhëtuar me automjetin tip Mercedes-Benz me targa VL 6368 C, nga Selenica për në Vlorë. Policia sqaroi se kapja e autorit tjetër është bërë falë informacioneve të marra në rrugë operative, që kanë çuar në zbulimin e vendndodhjes së tij, që është edhe pikërisht zona me të cilën është emërtuar ky operacion. Personi ka tentuar të fshihet, nuk ka bërë rezistencë, ndërsa burimet thanë se kishte deklaruar vetëm “unë kam detyrë të fshihem, e ju të më kapni”.

Mësohet se gjithçka është bërë për hakmarrje. Zanafilla daton në vitin 1998, kur persona nga dy fiset janë përfshirë në konflikt për motive banale. Fillimisht është vrarë kunati i Baftjar Llanajt, ngjarje për të cilën familjarët fajësuan fisin tjetër dhe pas kësaj u plagos një ndër këta të fundit. Rreth 5 vite më pas, vritet vëllai i Petrajt dhe Azizit. Viktima e shënuar një javë më parë, mbyll skemën e hakmarrjes, e cila nuk dihet nëse do të mbyllet apo jo përfundimisht nga familjarët.

Vrasja

Ndërsa një nga autorët e dyshuar të vrasjes ndodhet ende për kurim në spital, policia ka mundur të kapë bashkautorin tjetër, Adrian Azizi. Fatmir Petraj dhe Adrian Azizi, edhe pse në dokumente figurojnë me mbiemra të ndryshëm, janë vëllezër. Petraj ndodhet ende për kurim në ambientet spitalore dhe burimet pohojnë se nuk ka pranuar të flasë për ngjarjen. Policia e ka rindërtuar skenën, mbështetur në provat materiale, por edhe historinë e hakmarrjes që ka ekzistuar edhe më parë mes vëllezërve dhe viktimës. Në pyetje janë marrë të afërm nga të dy familjet, ndërkohë që versioni i bashkautorësisë u bë edhe më tepër i besueshëm kur 38-vjeçari Azizi ishte larguar në drejtim të paditur pas ekzekutimit të Llanajt. Po kështu në vendngjarje janë gjetur gëzhoja të gjuajtura nga armë të ndryshme. Plagosja e njërit prej autorëve ka mbartur dyshime për një shkëmbim zjarri mes viktimës dhe autorëve, por më pas specialistët e policisë kanë ngritur versionin se në tentativë për të gjuajtur mbi 62-vjeçarin, një nga autorët është plagosur nga i vëllai. Dyshohet që gjatë pritës ata të jenë vendosur në anë të ndryshme të rrugës, duke qëlluar mbi viktimën. Pas kësaj, bilanci rezultoi edhe me plagosjen e Petrajt, me një plumb në brinjë dhe tjetrin në dorë.

Arrestimi

Gjithsesi, për këto detaje, specialistët pohojnë se hetimet për ngjarjen vijojnë. Marrja në pyetje e autorëve gjithashtu pritet të zbardhë të tjera detaje.

Hakmarrja ka qenë pista të cilën ndoqi që në fillim policia. Duke qenë se mes dy familjeve kishte patur konflikte të vazhdueshme, u dyshua se ngjarja ishte hallkë e këtij zinxhiri. Një ditë më pas ngjarjes së ndodhur në Selenicë, policia zyrtarizoi se vrasja kishte ndodhur në bashkëpunim. Burime të policisë pohojnë se kërkimet për 38-vjeçarin ishin përqendruar në një prej zonave ku ai kishte të afërm. Në komunikimin e sotëm policia tha se ai është gjetur në Hotimë. Burime që kanë qenë të pranishëm në kapjen e tij pohuan se burri fshihej në shtëpinë e një kushëriri të tij. Kur ka kuptuar se është diktuar dhe ka parë të afrohej policia, pohohet që të ketë dalë nga dritarja, në tentativë për të ikur. Por teksa është kapur, ai thjesht ka deklaruar se gjithsecili kish bërë detyrën e tij, ai të ikjes dhe policia të ndjekjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›