E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur vritemi nga ata që duhet të na mbrojnë

Nga Myhejan Gashi

Nuk është aspak i pakuptimtë dhe i pagoditur titulli i mësipërm, sikundër nuk është edhe komercial në aspektin e tërheqjes te lexuesit - kjo si parantezë dhe refleksion i një analize logjike lidhur me atë që ndodhi të shtunën e zezë të 15 marsit 2008, në fshatin Gërdec të Tiranës. Nga ky këndvështrim, po e nis këtë shkrim-pyetësor pa koment, ku kryesisht do fokusohem tek A-ja e asaj që quhet siguri për jetën e individit dhe komunitetit, referuar ngjarjes e konkretisht:
1. Sa dhe si ishte siguria e “fabrikës”(poligonit) dhe procedurat e operacioneve që kryheshin në të?
2. Cilët ishin të ngarkuarit për të marrë vendimet që lidheshin me çështjet e mësipërme ?
3. A ishin të informuar për të gjitha rreziqet personeli i kontaktuar dhe komuniteti në parametrin e riskut të rrezikut?
4. A kishte oficerë apo personel përgjegjës të ngarkuar me detyrën e sigurimit të “fabrikës”(poligonit)?
5. Kush dhe si e kryhej trajnimi i personelit?
6. Trajnimi i personelit a bëhej sipas Procedurave Operuese Standarte (SOP) që kryhen në të tilla raste?
7. Si dhe nga kush kontrollohej dhe mbikëqyrej sigurimi i të gjitha pikave të mundshme të zjarrit, burimeve të zjarrit, eksploziveve dhe materialeve djegëse, etj në “fabrikë (poligon)?
8. Si dhe nga kush zbatoheshin marrja në dorëzim, magazinimi, kontrolli dhe mbarëvajtja e materialeve luftarake gjatë dhe pas procedurave çaktivizuese dhe asgjësuese të tyre?
9. A ishin të afishuara dukshëm rregullat e sigurimit për çdo proces operacional në “fabrikë”(poligon)?
10. Për hir të sigurisë personale, të gjithë personat që hynin në “fabrikë” (poligon), a njiheshin me rregullat që duhet të ndiqnin gjatë gjithë kohës dhe kush e realizonte zbatimin për to?
11. Çfarë sanksionesh përdoreshin ndaj atij personeli që i shkelnin qoftë edhe pa dashje, kur nuk i kishin dëgjuar dhe kuptuar mirë këto rregulla?
12. Në veprimtarinë praktike të “fabrikës” (poligonit) a janë zbatuar teknikat dhe strategjitë sistematike, të aprovuara ndërkombëtarisht? Nga kush janë miratuar, monitoruar dhe kontrolluar ato?
13. Sa ishte numri dhe cili ishte kualifikimi i ekspertëve të “fabrikës”(poligonit), bazuar kjo edhe sipas kërkesave ndërkombëtare për veprimtari në raste të tilla nga ekspert bombash?. … Etj.etj….

Ekspertët ushtarakë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Ministrisë së Mbrojtjes, firmës amerikane dhe firmës nënkontraktuese shqiptare për të kuptuar kërcënimin në potencë të eksplozionit për personelin dhe objektet duhet të kishin bërë përllogaritjet përkatëse dhe një shpjegim të qartë të dëmtimit që mund të ndodhë dhe rekomandimin e kujdesit dhe masave që duheshin marrë për eliminimin ose të paktën të pakësimit të efektit të tyre para dhënies së lejes së aktivitetit dhe dislokimit të “fabrikës”.
Qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes janë garanti i mbrojtjes dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve nga çdo kërcënim dhe rrezik që u vjen, por…
Post-ngjarja me humbjet e saj tragjike na jep të drejtën të vazhdojmë akoma me pyetjet pa koment të adresuara për ta:

1- A është menduar dhe studiuar nga të mësipërmit për mundësi eksplozioni?
Eksplozion mekanik, eksplozion kimik dhe eksplozion berthamor. (Këtu kemi parasysh sasinë e madhe të municioneve të llojeve të ndryshme të grumbulluar njëkohësisht dhe të shpërthyera njëkohësisht..., fuqinë që krijojnë!?)

2- A është studiuar natyra eksplozuese e materialeve të ndryshme të grumbulluara bashkërisht në të njëjtën kohë në të njëjtën fabrikë (poligon) dhe a është vlerësuar risku i rrezikut; eksplozivët e lartë (HE), eksplozivët e ulët?

3- A duhej studiuar, vlerësuar e marrë në konsideratë rreziku në rast eksplozioni nga valët e presionit, qofshin ato valë të presionit pozitiv, apo valë të presionit negativ?

4- A është marrë në shqyrtim në një risk të mundshëm shpërthimi, presioni i shpërthimit si presioni incident, presioni dinamik dhe presioni i reflektuar?

5- Po për efektet e shpërthimeve të mundshme, a është menduar, duke i parë ato si: efektet e shpërthimeve terciale, termale, fragmentimi dhe efekti fokus?

6- Një tjetër pyetje që vlen për t’u shtruar për këto municione e armatime ështe se nëse është menduar ndonjëherë për rrezen e efekteve të eksplozionit, efektet atmosferike dhe tokësore, efektet e shpërthimit mbi strukturat, vlerësimin e peshave eksplozive dhe efektet biologjike, etj?

7- A është bërë analiza e vlerësimit të sigurimit fizik të fabrikës (poligonit), perimetrit të jashtëm dhe kapaciteteve komplekse për garantimin e sigurisë? E për ironi dhe për fat të keq, veç pyetjeve që shtruam më lart, ndoshta vlen për t’u ndalur e theksuar se jeta në Shqipëri jo vetëm nuk është e sigurt nga rreziqet e bekuara nga Qeveria dhe Ushtria që si shpata e Demokleut na rrinë mbi kokë, por shkaktarët shtetërorë dhe privatë (me veprim apo mosveprim në përmbushjen e ligjshme të detyrës) gjer më sot asnjëherë nuk janë ndëshkuar e vënë para drejtësisë.
Qytetarët e prekur nga kjo tragjedi shtetërore dhe mbarë opinioni kanë rastin të besojnë se kanë një president, prokurore të Përgjithshme, KLD që kërkon dhe lufton për mbrojtjen e të drejtave të tyre, jashtë ndikimit të politikës. Prandaj duan të besojnë se:
-Hetimi do të bëhet kompleks, thellësisht i pavarur dhe objektiv;
-Përgjegjësit do të kenë emër dhe mbiemër konkret në të gjitha nivelet e vendimmarrjes e qeverisjes;
-Qeverisjes dhe administrimit të papërgjegjshëm i duhet thënë “Ndal” dhe fajtori të përgjigjet para ligjit;
-Qytetarëve t’u kërkohet falje publike dhe të dëmshpërblehen 100 për qind nga shteti që i “vrau”, ”i dogji”, i “rrënoi”, “i gjakosi” dhe i tmerroi me mungesën e përgjegjshmërisë së tij. Nëse ecet me justifikime, thjeshtëzime dhe mbulim e minimizim të ngjarjes, atëherë duhet bërë thirrje: Njerëz jeni në rrezik! I dilni zot vetes, sepse ata që duhet të na mbrojnë na vrasin!
Dorëheqja e ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është maja e dukshme e ajsbergut që duhet të vazhdojë edhe me të tjera, sepse duhet të ndryshojë mentaliteti qeverisës i këtij vendi. Berisha dhe morali i tij qeverisës kanë rënë. Sot kush nuk do ta kuptojë, gabon rëndë, pasi ndoshta nesër dikush duhet të përgjigjet për krime kundër njerëzimit.

18 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›