E Shtunë, 31 Tetor 2026

Efektet që sjellin në organizëm kurat me hithër

Përgatitja e çajit dhe mënyrat e përdorimit sipas sëmundjeve. Kur është e rrezikshme për shëndetin e njeriut
Në mjekësinë popullore, hithra njihet si mbretëresha e bimëve mjekësore për shkak të efekteve të saj pozitive në shërimin e disa sëmundjeve. Përdorimi i kësaj bime gjatë periudhës së pranverës ndihmon në pastrimin e gjakut dhe te të sëmurët me anemi. Këshillohet që gjatë kësaj kohe të konsumohet sa më shpesh bima e hithrës në formë sallate ose dhe e gatuar në supë ose byrek. Gjithashtu, mund të pihen tri gota çaj në ditë nga kjo bimë. Kjo bimë ndihmon edhe në problemet që mund të shfaqen në mëlçi dhe për prodhimin e lëngut në tëmth. Për këtë qëllim, mjekët rekomandojnë të pihet një gotë në ditë nga çaji i përgatitur i hithrës. Është mirë që ai të pihet herët në mëngjes për të dhënë dhe efektin e duhur. Një ndihmesë të madhe jep hithra edhe për një funksionim sa më të mirë të veshkave dhe në sëmundjevet reumatike dhe artritin.
Përgatitja e çajit
Për të përgatitur çajin nevojitet një lugë nga bima e tharë dhe e grimcuar e hithrës. Kjo masë hidhet në një gotë me ujë të nxehtë dhe lihet në qetësi për 15 minuta. Më pas, kullohet dhe pihet tri herë në ditë nga një gotë. Një tjetër mënyrë për të shëruar dhembjet e reumatizmës është edhe vendosja e bimës së freskët në kontakt të drejtpërdrejtë me lëkurën. Vendi i dhembjes rrihet me bimën e freskët derisa të dallohet një si pullë gjaku. Një efekt të menjëhershëm jep kjo bimë edhe në rastet e diarresë. Që ky problem të kalojë shpejt dhe lehtë, duhet të pihet çaj hithre. Marrja e tij duhet të konsiderohet si një masë e rëndësishme për qetësimin e gjendjes. Te nënat me fëmijë të vegjël, përdorimi i hithrës ndihmon në prodhimin e qumështit aq i rëndësishëm për shëndetin e fëmijës. Në kozmetikë, hithra ndihmon kundër rënies së flokut dhe zbokthit. Personave që kanë probleme me zbokthin u rekomandohet larja e kokës me lëngun që përftohet nga zierja e hithrës. Është mirë që larja të kryhet dy herë në javë dhe të vazhdojë deri në eliminimin përfundimtar të zbokthit. Larja e kokës me ujin e hithrës këshillohet edhe për ata që kanë probleme me rritjen e ngadaltë të flokut. Për të pasur një flok të gjatë e të shëndetshëm rekomandohet larja e flokut me këtë bimë.
Efektet anësore
Efektet anësore të hithrës janë ende të panjohura, por është thellësisht e dëmshme të përdoret te personat që kanë akumulime ujore si pasojë e aktivitetit të kufizuar të zemrës dhe veshkave, pasi është një çaj që nxit largimin e ujërave nga trupi.
Bima
Hithra është një ndër bimët më të njohura në vendin tonë. Bima mund të gjendet kudo në zonat me lagështirë dhe vende grumbullimi, nëpër gardhet e shtëpive, qoshet e ferrave. Për bujqit, kjo bimë vlerësohet si një nga barërat e këqija që i mundon në punën e tyre. Ndërsa në mjekësinë popullore hithra çmohet si më e rëndësishmja, si bimë që ndihmon në kurimin dhe parandalimin e sëmundjeve të ndryshme. Bima mund të haset edhe nëpër gatime për të zëvendësuar spinaqin, mund të përdoret si sallatë ose të zihet për supë. Hithra përmban sasi të konsiderueshme të Vitaminës A dhe C, Vitaminë K, amina, si histaminë, serotoninë dhe minerale, siç është hekuri, shumë i rëndësishëm për organizmin e njeriut..

Përdorimi
3 gota çaj hithre këshillohen të pihen çdo ditë për të sëmurët me reumatizëm.

2 herë në javë rekomandohet të lahet koka për të eliminuar zbokthin në flokë.

15 minuta nevojiten për përgatitjen e çajit që do të shërbejë për kurimin e sëmundjeve.

Paketë këshillash
Duhet patur kujdes që hithra të mblidhet në vende jo afër rrugës.

Kjo bimë mund të jetë e ngarkuar me materiale të dëmshme për shkak të pluhurave.

Nuk duhet të përdoret nëse keni probleme me sasinë e lëngjeve në trup.

Çaji i hithrës nxit largimin e ujit nga organizmi.

Për të pasur flokë të shëndetshëm e të gjatë, lajini ato me lëngun e hithrës.

Përgatiti: JONIDA TASHI

18 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›