E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, 15 për qind sekserëve që do sjellin paratë e fajdeve

Tiranë Shoqëritë huamarrëse paditën shtetin grek dhe debitorët e “Gjallicës”, “Cenajt” dhe “Vefas” për 15 milionë USD

Këshilltarët profesionistë dhe agjentët që do të merren me riatdhesimin e vlerave monetare të krimit të sekuestruara brenda dhe jashtë vendit dhe debitorëve të përfshirë në veprimtarinë e firmave piramidale, do të marrin 15 për qind të shumës që do t’i servirin shtetit shqiptar. Prej disa muajsh, shoqëritë huamarrëse në administrim kanë paditur shtetin dhe individë grekë në Gjykatën e Athinës për riatdhesimin e 15 milion USD të “Gjallicës”, “Cenajt” dhe “Vefas”, që janë ngrirë pas falimentimit. Shteti shqiptar ka kontraktuar një studio ligjore greke për të ndjekur këtë çështje dhe prej disa muajsh është parë e udhës që qeveria të nxjerrë një VKM për të përcaktuar edhe kuotat që do të marrin këto shoqëri private.

Vendimi i djeshëm i qeverisë “Berisha” u mbështet në Kushtetutë dhe ligjin “Për kontrollin financiar të personave juridikë jo bankarë që kanë marrë hua nga publiku i gjerë”. Qeveria vendosi se “Tarifa e pagesës për këshilltarët profesionistë dhe agjentët e kontraktuar nga administratori i shoqërisë huamarrëse, mund të jetë deri në 15% të vlerës së arkëtuar në favor të këtyre shoqërive, nga riatdhesimi i vlerave monetare, të depozituara në banka, të personave të shpallur debitorë dhe aseteve të shoqërive huamarrëse, në administrim të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, që ndodhen brenda ose jashtë shtetit, të përfshirë në veprimtarinë e firmave piramidale”. Sipas VKM-së, pagesa e këshilltarëve profesionistë apo agjentëve të kontraktuar do të bëhet nga administratori i shoqërisë huamarrëse. “Ngarkohen Ministria e Financave dhe Grupi Mbikëqyrës i Shoqërive Huamarrëse në administrim, për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në ‘Fletoren zyrtare’”, thuhej në vendim.

Prej kohësh, shteti shqiptar po “lufton” për sjelljen në atdhe të miliona USD të firmave piramidale që u eksportuan gjatë viteve 1995-2000 jashtë vendit. Shqipëria është kujtuar për këto kapitale të popullatës pas 13 vitesh.

Krahas rrugës ligjore në gjykatat greke, Avokatura e Shtetit Shqiptar do të përfaqësohet si palë e tretë në proceset gjyqësore në Gjykatën e Strasburgut me tituj: Shoqëria VEFA kundër shtetit grek dhe Lefter Cenaj kundër shtetit grek. Këto firma, të shpallura debitore në Shqipëri, kanë paditur shtetin grek për disa pasuri të sekuestruara dhe bllokuara, pasi kanë shpallur falimentin në vitin 1997. Duket se këto janë nismat e fundit për të tentuar që të riatdhesohen milionat e fajdeve shqiptare të transferuara kohë më parë në Greqi, në mënyra të jashtëligjshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›