Në gjykim 4 Dreambox-at e mbetur, vjedhës të DigitAlb
Gjykata ka shtyrë dy ditë më parë procesin ndaj katër prej të akuzuarve për “Mashtrim Kompjuterik”, që i përkasin “Dreambox”-it, transmetuesit të paligjshëm të programeve, ekskluzivitet i “DigitAlb”. Fatmir çupi, Lorenc Nushi, Saimir Likollari dhe Spiro Zguri po gjykohen nga togat e zeza në proces normal, pasi nuk kërkuan gjykim të shkurtuar. Seanca e parë e datës 6 korrik u shty për arsye të mungesës së prokurorit të çështjes, por të njëjtin fat ka pasur edhe seanca e dytë, ajo e datës 27 të po këtij muaji. Procesi u la të zhvillohet më 28 shtator.
Sipas kërkesës për gjykim, i pandehuri Fatmir çupi, 33 vjeç, lindur dhe banues në rrugën “Niko Avrami” pall.3, shk.3, ap.29 Tiranë, akuzohet për veprën penale të “Tregtimit të mallrave që janë kontrabandë”, parashikuar nga neni 178 i Kodit Penal. Të pandehurit Lorenc Nushi, 33 vjeç, lindur dhe banues në Fier, Saimir Likollari, 35 vjeç, lindur dhe banues në Berat, si dhe Spiro zguri, 50 vjeç, lindur e banues në Korçë, akuzohen për veprën penale të “Mashtrimit kompjuterik”, parashikuar nga neni 143/b i Kodit Penal. Gjykata e ndau procesin për këta të pandehur, pasi ata nuk paraqitën kërkesa paraprake, duke kërkuar në këtë mënyrë zhvillimin e gjykimit me procedurë të zakonshme.
Kompania “DigitAlb”, më 31 tetor të vitit 2008 paraqiti në prokurori një kallëzim penal, sipas të cilit, nga informacionet e disponuara prej saj, persona të ndryshëm, të cilët ushtronin aktivitet tregtar në fushën e elektronikës, kishin ndërhyrë në sistemin kompjuterik, në internet, duke realizuar shkatërrimin e kodeve dhe mundësonin ofrimin në mënyrë të kundërligjshme të disa programeve, ekskluzivitetin e të cilave e ka vetëm kompania “DigitAlb” në paketat e saj. Nga ky veprim i kundërligjshëm, që ofrohet kundrejt pagesës prej 230 eurosh në vit, ku përfshihej dekoderi, karta, si dhe instalimi, personat që e ofronin atë shërbim përfitonin të ardhura, duke i shkaktuar kompanisë “DigitAlb” një dëm që arrinte në shifrën rreth 1 milion euro, si edhe shtetit, i cili humbiste mundësinë e vjeljes së taksave në shumën prej rreth 100 mijë eurosh. Pas kallëzimit të kompanisë “DigitAlb”, organi i akuzës regjistroi procedimin penal në datën 12 nëntor 2008, për veprat penale të “vjedhjes” dhe “riprodhimit pa të drejtë të veprës së tjetrit”, parashikuar respektivisht nga nenet 134 dhe 149 të Kodit Penal dhe më pas, në shkurt 2009, ky organ ngriti akuzën ndaj të pandehurve Spiro Zguri, Xhafer Gixhari, Marin Palushi, Alfred Kadriu, Edison Shema, Sokol Shalca, Lorenc Nushi, Saimir Kuniqi, Saimir Likollari, Eldi Vorpsi dhe Fatmir çupi. Nëntë prej tyre u akuzuan për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, parashikuar nga neni 143/b/1 i Kodit Penal. I pandehuri Eldi Vorpsi u akuzua për kryerjen e veprës penale të “moskallëzimit të krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal, ndërsa Fatmir çupi u akuzua për kryerjen e veprës penale të “tregtimit dhe transportimit të mallrave që janë kontrabandë”, parashikuar nga neni 178 i Kodit Penal. “Fajësinë e të pandehurve e vërtetojnë pamjet filmike, fotografike, si dhe audio, në lidhje me blerjet e stimuluara të aparateve ‘Dreambox’ te subjekte të ndryshme për të provuar lidhjen e sinjalit nëpërmjet internetit, si dhe për të provuar mashtrimin kompjuterik nga të pandehurit nëpërmjet veprimeve të kryera prej tyre. Të tilla blerje ishin realizuar në Durrës, Fier, Lushnjë, Korçë, Tiranë, Shkodër, Berat etj.”, thuhet në kërkesën për gjykim.
Më datë 21 korrik 2010, togat e zeza dhanë vendimin për shtatë prej të pandehurve, të cilët kërkuan gjykim të shkurtuar. Për gjashtë nga të pandehurit gjykata dha 6 muaj burg, me kusht moskryerjen e asnjë vepre tjetër penale brenda 18 muajsh dhe gjobë 100 mijë lekë, ndërsa për të shtatin vetëm 70 mijë lekë gjobë. Këto dënime ishin përfundimtare, duke llogaritur përfitimin e të pandehurve nga kërkesa për gjykim të shkurtuar.
#