Prokuroria: Belegu nuk është larguar nga Shqipëria
Zhdukja e Eduart Belegut, ish-këshilltari i ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, vazhdon të jetë misterioze. Autoritetet policore italiane, greke, të Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës kanë sjellë informacione në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Shqipëri, se ky person nuk është futur në territorin e tyre. Disa javë më parë, grupi hetimor i kryesuar nga prokurori Eugen Beçi, u kërkoi pikave të kalimit kufitar të vendeve fqinje informacione që kishin të bënin me mundësinë që Belegu të ishte futur në territorin e tyre. Pas konfirmimit të pikave të kalimit kufitar të vendit tonë se ky shtetas nuk kishte kaluar kufirin e Republikës së Shqipërisë, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me autoritetet e huaja. Prokuroria shqiptare u kërkoi vendeve fqinje nëse shtetasi Eduart Belegu ishte larguar nga Shqipëria që nga momenti i ndryshimit të masës së arrestit ndaj tij, e deri në ditët e sotme. Informacioni prej policive të vendeve fqinje ishte se nuk kanë regjistruar asnjë person me një emër të tillë, duke vënë pikëpyetje të reja për këtë çështje që po hetohet nga policia dhe prokuroria shqiptare. Informacione zyrtare kanë mbërritur në polici dhe prokurori nga pikat e kalimit kufitar tokësor, si Dogana e Kakavijës, Kapshticës, Dogana e Tre Urave në Përmet, Dogana e Qafë-Thanës, si dhe Dogana e Hanit të Hotit në Shkodër. Asnjë gjurmë për Belegun, i cili nuk rezulton ta ketë lënë Shqipërinë në rrugë tokësore. Vëmendja u përqendrua edhe në aeroportin e Rinasit, prej nga ku erdhi përgjigjja se nuk rezulton ta ketë lënë Shqipërinë asnjë shtetas shqiptar me emrin Eduart Belegu. Gjithashtu erdhën përgjigjet edhe nga pikat e kalimit kufitar ujor, nga Porti i Durrësit dhe i Vlorës, ku nuk kishte asnjë shenjë jete nga ish-këshilltari i Priftit. Pas këtyre hetimeve të hollësishme, puna e grupit hetimor u përqendrua në verifikimin e çdo prone dhe pasurie të Eduart Belegut. Pas disa muajsh kërkime, Eduard Belegu është shpallur i zhdukur në listën e Interpolit. Sipas faqes zyrtare në internet të Policisë Ndërkombëtare, Belegu rezulton i zhdukur që në datën 24 mars të këtij viti, kur ka kontaktuar për herë të fundit me të afërmit. Akuza thotë se hetimet për zhdukjen e 47-vjeçarit, ish-drejtues i kompanisë “Darfo” në Elbasan, për të cilën u mor edhe person i pandehur, po përqendrohen te ndonjë rrëmbim i mundshëm, ndërsa nuk përjashtohen as pistat e tjera që nga largimi nga banesa e deri te konfliktet e mundshme të Belegut me ndonjë të njohur. “Shpallja si i zhdukur ndërkombëtar i shtetasit Eduard Belegu është realizuar pasi nga hetimet e policisë dhe prokurorisë nuk është gjetur asnjë gjurmë jete. Synohet që me shpalljen e tij në listën e Interpolit, edhe policitë ndërkombëtare të kërkojnë për personin në fjalë”, thanë burimet nga akuza qendrore.
#