Ndalohen në Rinas dy bujq kosovarë me pasaporta false bullgare
Dy bujq kosovarë janë ndaluar në Aeroportin e Rinasit, pasi dispononin pasaporta bullgare të falsifikuara. Bekim Bislimi dhe Qahil Arifi, në momentin e ndalimit, dispononin rreth 750 euro, të cilat u janë sekuestruar me vendim gjykate. Vendimi është dhënë disa ditë më parë, kur Bislimi dhe Arifi kanë shkuar në Aeroportin e Rinasit për të udhëtuar me pasaporta bullgare. Kontrollori i policisë kufitare ka dyshuar se pasaportat ishin falsifikuar pasi, gjatë kontrollit teknik ato paraqisnin ndërhyrje dhe këto dyshime u mbështetën edhe nga verifikimi paraprak i kryer nga Laboratori Kriminalistik i Rinasit.
Po kështu, sipas policisë gjyqësore, nga kontaktet me konsullin bullgar, referohet që dokumentet nuk duhet të jenë origjinale bullgare, pasi prej të lartpërmendurit mohohet që të jenë dhënë shtetësi për shtetas kosovarë, ndaj as nuk mund të jenë lëshuar pasaporta për ta. Prokuroria ka bërë arrestimin në flagrancë të tyre nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Prokuroria ka kryer ekspertimet teknike të dokumenteve, ku u konstatuan ndërhyrjet falsifikuese në pasaporta. Për të paguar edhe shpenzimet procedurale nga ana e të pandehurve, prokuroria kërkoi që të vendoset sekuestro konservative mbi shumën prej 750 eurosh që dispononin dy të arrestuarit.
#