E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, pranga 4 shpërndarësve të heroinës

Policia

Katër persona u arrestuan nga uniformat blu në kryeqytet pasi dyshohet se janë shpërndarës të lëndëve narkotike. Prangosja e tyre u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Takimi i fundit”, ku u sekuestrua edhe një sasi prej 73 gramësh lënde narkotike, e dyshuar heroinë. Burime policore thanë për gazetën “Shqip” se të arrestuarit u identifikuan si: Ardian Gjyzeli, 39 vjeç; Toni Shalari, 34 vjeç, Aurel çekiçi, 30 vjeç dhe Ergys Ibershimi, 30 vjeç, që të katërt lindur dhe banues në Tiranë. Po sipas policisë, këta persona ishin nën vëzhgim dhe përgjim prej dy muajsh dhe dje u gjet rasti për t’i arrestuar në kushtet e flagrancës njëkohësisht në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa” dhe në rrugën “Artan Lenja” në Tiranë. Agjentët antidrogë thanë se pas kryerjes së veprimeve hetimore u arrit në përfundimin se të sipërpërmendurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndën narkotike e llojit heroinë me qëllim shitjen e saj në zonat e Laprakës, “21 Dhjetorit”, në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa”, zona e Kinostudios, Fresku, Linza etj. Falë këtij operacioni, policia sekuestroi, në cilësinë e provës materiale, sasinë prej 72.6 gramësh lëndë narkotike e dyshuar si heroinë, 2 automjete të markës “Mercedez” me targa TR 2143 K dhe TR 1038 I, dy armë gjahu shotgan dhe superpost, disa pasaporta dhe dokumente, për të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Struktura antidrogë e Policisë së Tiranës, po punon për zbardhjen e aktivitetit të tyre kriminal, apo personave të tjerë të përfshirë në të, si dhe të aseteve të përfituara nga kjo veprimtari. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për hetime të mëtejshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›