Gjyqtarët: Do mbledhim Konferencën pa ligj
Kryetarët e gjykatave kanë pranuar të mbledhin Konferencën Gjyqësore, megjithëse ligji nuk ka kaluar në Parlament për miratim, çka do të donte votat e opozitës për miratimin e tij. Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, ka mbledhur dje kryetarët e gjykatave, nënkryetarin e KLD-së dhe shoqatat e gjyqtarëve për të diskutuar në lidhje me hapat që do të marrin. Në fund të takimit, të gjithë të pranishmit kanë deklaruar njëzëri se janë pro mbledhjes së Konferencës, nga e cila do të dalin anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në muajin shtator të këtij viti, një përfaqësi e gjyqtarëve do të diskutojë për modalitetet, ndërsa rreth muajit nëntor pritet të mblidhet Konferenca Gjyqësore, duke realizuar në këtë mënyrë vetëvendosjen e gjyqtarëve për anëtarët e KLD-së.
TakimiDje paradite, kryetarja e Gjykatës së Lartë Beçaj mblodhi në një tryezë të rrumbullakët konsultative, kryetarët e gjykatave të Republikës së Shqipërisë, si dhe përfaqësues të shoqatave të gjyqtarëve. Në këtë takim ka qenë i ftuar edhe zv.kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. “Ky takim vjen si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të kryetares së Gjykatës së Lartë për të zgjidhur situatën e krijuar brenda pushtetit gjyqësor, lidhur me funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare në kushtet e vakumit ligjor për rregullimin e saj.
Duke vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të këtij organi për mirëfunksionimin e pushtetit gjyqësor, si dhe iniciativat këmbëngulëse të kryetares së Gjykatës së Lartë, në funksion të mbrojtjes së pavarësisë së pushtetit gjyqësor, përfaqësuesit e gjyqësorit, pjesëmarrës në këtë takim, i kanë thënë “po” njëzëri mbledhjes së Konferencës Gjyqësore Kombëtare edhe në mungesë të ligjit organik”, thanë burimet nga Gjykata Supreme. Sipas saj, në përfundim të këtij takimi u vendos ngritja e një grupi pune i cili do të hartojë projekt-rregulloren për funksionimin e konferencës zgjedhore me qëllim zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KLD-së brenda dy javëve të para të shtatorit. Më pas kjo projekt-rregullore do t’i nënshtrohet procesit të shqyrtimit nga ana e gjithë gjyqtarëve në një takim të përbashkët që do të organizohet në fund të muajit shtator. “Konferenca Gjyqësore Kombëtare parashikohet të organizohet gjatë dy javëve të para të muajit nëntor”, tha Gjykata e lartë.
KLD-ja
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për këtë çështje. Me një njoftim për shtyp, KLD-ja tha se prej dy vjetësh, Konferenca e Gjyqtarëve nuk funksionon në Shqipëri për shkak se në muajin tetor të vitit 2008, Gjykata Kushtetuese shpalli antikushtetues ligjin “Për funksionimin dhe organizimin e konferencës gjyqësor”. I pranishëm në takimin e organizuar nga Gjykata e Lartë ka qenë edhe nënkryetari i KLD-së, Spahiu, i cili diskutoi mbi mënyrat e daljes nga kriza në të cilën është futur konferenca gjyqësore, e cila ka çuar në moszgjedhjen e pesë anëtarëve të rinj të KLD. Spahiu deklaroi se zgjedhjet e reja për Këshillin e Lartë të Drejtësisë do të ridimensionojnë dhe do të rrisin eficiencën në punën e KLD-së. Ai shtoi më tej që në mungesë të ligjit është e domosdoshme mbledhja e gjyqtarëve për miratimin e rregullave dhe statutit të brendshëm, si një mundësi dhe garanci për një proces zgjedhor të lirë dhe të barabartë për gjyqtarët. Nënkryetari i KLD-së theksoi në takim gjithashtu se miratimi i rregullave dhe normave të funksionimit dhe organizimit të konferencës mund të bëjnë të mundur zgjedhje legjitime për anëtaret e rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ose në të kundërt mund të kemi një proces të kontestueshëm dhe jo kushtetues. Spahiu deklaroi se standardet e reja që duhen vendosur nga konferenca e gjyqtarëve duhet të shmangin domosdoshmërisht në të ardhmen çdo lloj konflikti interesash brenda këshillit.
#