Meta në Gërdec, takon familjarët e viktimave
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, bëri sot një vizitë në Gërdec, ku para një viti humbën jetën 26 viktima nga shpërthimi tragjik. Fillimisht ai u ndal në familjen Leti, e cila në tragjedinë e 15 marsit të vitit të kaluar humbi vajzën 19-vjeçare, Zilie Leti. Meta, në këtë vizitë homazh, u prit nga kryefamiljari Bajram Leti dhe familjarët e tjerë të 19-vjeçares, të cilët deklaruan se kjo tragjedi ishte shumë e madhe dhe dhimbja për njeriun e humbur e pamasë. Më pas, Meta takoi shumë familjarë dhe të afërm të viktimave të Gërdecit, si dhe ishte në vendin e kraterit të shpërthimit tragjik, të cilin e quajti "krateri i korrupsionit të qeverisë "Berisha". "Jemi sot këtu në Gërdec, tha ai, jo vetëm për të vizituar disa nga familjet e viktimave të 15 marsit të vitit të kaluar, por njëkohësisht jemi këtu, fare pranë kraterit të korrupsionit të qeverisë ‘Berisha‘, për të kërkuar drejtësi në emër, jo vetëm të shpirtit të atyre viktimave që nuk jetojnë më por të gjithë shqiptarëve.