E Shtunë, 31 Tetor 2026

G99: Viktimat e Gërdecit po i kthejnë në fajtorë

Lëvizja politike G99 deklaroi dje se viktimat e Gërdecit presin kompensim dhe jo sorollatje e tallje. Sipas Genci Kojdhelit, ndonëse ka kaluar gati një vit nga tragjedia e Gërdecit, viktimat e saj vazhdojnë të vuajnë çdo ditë arrogancën dhe paturpësinë e shtetit në lidhje me kompensimet dhe pensionet që u takojnë. "Sot mësuam nga media se Bashkia e Vorës ka hedhur në gjyq viktimat e tragjedisë, duke u kërkuar atyre paratë që kanë përfituar për dëmet njerëzore e materiale të shkaktuara nga shpërthimi aspak aksidental i 15 marsit 2008", u shpreh Kojdheli. "Sot, shtoi ai, viktimat e Gërdecit po kthehen në të pandehur nga kjo qeveri e papërgjegjshme, e cila nuk ka turp as të tallet me fatkeqësinë që vetë shkaktoi. G99 shprehet shumë e indinjuar nga imoraliteti dhe pafytyrësia e kësaj qeverie". Për të shprehur indinjatën qytetare në lidhje me rastin në fjalë, G99 fton gjithë shqiptarët e ndershëm, pa dallime ngjyrimesh politike, që të bashkohen në protestën qytetare të së dielës, më datën 15 mars, në orën 18:00 në sheshin "Skënderbej".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›