Gjinushi: Vetëm populli mund ta largojë këtë qeveri
Socialdemokratët shprehën dje mbështetje për protestën e madhe të 15 marsit në sheshin "Skënderbej", ku i gjithë populli duhet t‘i japë mbështetjen e plotë gjithë opozitës për të kujtuar e për të protestuar për ngjarjen tragjike të Gërdecit, një krim i pastër shtetëror. "Vetëm populli në protestë, vetëm populli me votën e tij mund të largojë këtë qeveri të uzurpuar nga Berisha, e cila pasi mashtroi, vodhi, vrau dhe po e përdhunon këtë popull për 4 vjet", u shpreh Skënder Gjinushi. I themi këto të indinjuar, u shpreh ai, dhe nga qëndrimi deri në fund i papërgjegjshëm i Kryeministrit e qeverisë së tij, i cili ka kurajën që në njëvjetorin e Gërdecit të dalë para opinionit publik dhe të mburret për arritjet e veta dhe të kërkojë një mandat të dytë për të bërë një ‘Gërdec‘ të dytë. "Pra, pa brerjen më të vogël të ndërgjegjes, ai nuk njeh asnjë përgjegjësi, nuk njeh asnjë faj për këtë tragjedi që ideoi vetë për qëllime të pastra korruptive, për qëllime të pastra trafiku dhe përfitimesh të paligjshme", insistoi Gjinushi.