E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Burg pa afat” për trafikantët e qenieve njerëzore

18/03/2011  U prangosën 6 persona, ndër ta dhe një grua, e cila miqësohej me vajzat e reja

Policia: I lartë numri i vajzave të trafikuara, do të riatdhesohen

FIER- Mbeten në burg pa afat 6 të arrestuarit për trafik prostitucioni. Burimet nga Gjykata e Shkallës së Parë të rrethit gjyqësor Fier pohojnë se është marrë masa e sigurisë “burg pa afat” për 6 të arrestuarit e mbrëmjes së të dielës. Konkretisht janë lënë në burg pa afat Mikel Ferko, Martin O., shtetasja 41-vjeçare T.L, Virion Memaj, Arben V. dhe adoleshenti 17-vjeçar A.L. Burime nga grupi i hetimit tregojnë edhe detajet që çuan në prangosjen e grupit prej 6 anëtarëve. Është dashur plot 1 muaj hetim që të arrihej zbardhja e gjithë veprimtarisë kriminale të bandës së trafikut të femrave, pjesëtarët e të cilës janë vënë në pranga në orët e vona të mbrëmjes së diel. Burime nga grupi i hetimit thonë se kodifikimi i operacionit “Kufiri i fundit” ka një kuptim të dyfishtë, jo vetëm për faktin se trafikantët janë kapur deri në kapërcimin e kufirit shqiptar, por edhe për dhënien fund të një grupi më të rrezikshëm që operonin në Fier dhe më gjerë. Minorene ishin pothuajse pjesa më e madhe e femrave të trafikuara nga grupi i të arrestuarve. Ato vinin jo vetëm nga zonat rurale, por edhe nga qendrat urbane Fier, Patos e Roskovec. Numri i femrave që kishin rënë pre e këtij trafiku ishte i lartë, ndërkohë që burime nga grupi i hetimit pohojnë se në fillim të zbardhjes së ngjarjes do të mundësohet edhe riatdhesimi i tyre. Objekti i trafikut punohej në mënyrë të atillë që dërgimi i tyre jashtë vendit të ishte i lehtë. Fillesa e hetimit mësohet se ka ardhur pas denoncimit të një prindi, i cili ka kërkuar ndihmën e policisë për gjetjen e së bijës, por që ende nuk i është dhënë fund hetimit, pasi mësohet se ekziston mundësia që edhe shtetas të tjerë të kenë qenë anëtarë të këtij grupi. Për këtë ngjarje janë interesuar edhe organizma ndërkombëtarë që bashkëveprojnë me policinë shqiptare, si Pameka dhe Komisioni Evropian. A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›