E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbushen kanalet e rrugët me plehrat dhe inerte

18/03/2011  Durrës, ndotja në shifra alarmante. Digjen me plehrat mbetje spitali dhe mbetje kimike

DURRES- Zgjerohet harta e depozitimit të mbeturinave të qytetit të Durrësit. Veç vendit tashmë të njohur në veri të qytetit, në Porto Romano, mbeturina gjen gjithandej. Në pikën e caktuar, e cila ka dhjetëra ha tokë mendohet se në një vit depozitohen deri në 150-170 mijë ton mbetje, të cilat transportohen nga Ndërmarrja e Pastrimit e qytetit dhe ajo e Plazhit.

Plehrat dhe ndotja

Sipërfaqja e vendgrumbullimit të mbetjeve urbane sa vjen e zgjerohet duke kapluar sipërfaqe të reja ditë pas dite. Mali i madh me plehra duket tani nga një distancë e largët. Madje edhe nga katet e larta të pallateve të qytetit duket toka e mbushur me mbeturina, si dhe shtëllungat e larta e të zeza të tymit që përhapet gjithandej. Djegia në natyrë e mbeturinave urbane, si dhe hedhja e inerteve në anë të rrugëve periferike të qytetit të Durrësit duket si gjë normale, pasi qytetarët janë bërë dëshmitarë të shkarkimit të kamionëve edhe në kanalet anësore të rrugëve. Problematike kjo pamje është në rrugën Spitallë-Shën Vlash, e cila në të dy anët është tejmbushur me plehra nga urbanet deri tek inertet dhe orenditë shtëpiake të dala jashtë përdorimi. E njëjtë është pamja në rrugën Nish Tulla-Shën Vlash-Sektori Rinia kanalet e thella anësore të së cilës janë bllokuar plotësisht. Më shumë se 1000-1200 ton inerte hidhen në vende të ndryshme, në kanale e sheshe duke zënë edhe ato pak tubacione e ura betoni të ndërtuara për kullim. Agjencia rajonale e Mjedisit ka bërë të ditur se ankesa për shkarkimet e kamionëve, kryesisht në orët e natës, në anë të rrugëve kanë paraqitur edhe Bashkia e Shijakut, komuna Xhafzotaj, Rrashbull, Katundi i Ri, Bashkia e Sukthit etj. Disa kompani dhe firma kanë gjetur rrugën më të shkurtër duke hedhur jo vetëm në anë të rrugës e në kanale mbeturinat e llojeve të ndryshme, por edhe përrenjtë e lumenjtë e zonës. Kështu Erzeni e Ishmi kanë probleme shumë serioze me ndotjen nga mbeturinat inerte dhe plehrat e zonës urbane. Përgjithësisht Ndërmarrjet e Pastrimit, si ajo e qytetit edhe e Plazhit mbeturinat e grumbulluara në kontenierët e vendosur në lagjet e qytetit i transportojnë plehrat në Porto Romano. Por edhe në këto raste problemi për mjedisin është i dukshëm ngase së bashku me mbetjet urbane gjenden të depozituar në të njëjtin vend edhe plehrat e punishteve e kombinateve, mbeturina spitalore, stabilimentet e pulave e të derrave apo punishte të konfeksioneve. Agjencia e Mjedisit ka dhënë prej kohësh alarmin për ndotjen në shifrat e larta duke i kërkuar kryesisht Bashkisë së Durrësit të rrisë përgjegjësinë. Por specialistë të agjencisë thonë se spitali, anijet, automjetet, punishtet dhe kombinatet e ndryshme duhet të mos i depozitojnë mbeturinat në pikën e grumbullimit në Porto Romano ku kryhet edhe procesi i djegies në natyrë apo mbulimi me dhera. Ndotja në afërsi të vatrës së djegies së plehrave shkon deri në 7-8 herë mbi normën e lejuar, kurse në thellësi kjo ndotje shkon në 2-3 herë mbi normën. Filtra, vajra të makinave dhe anijeve, fuçi me acide, mbetje spitalore etj digjen në mesin e plehrave duke shkaktuar re të dendur tymi helmues që përhapet jo vetëm në pjesën e banuar në Porto Romano, por edhe në thellësi të zonës. Në ditë me erë të fortë nga veriu era e rëndë dhe mbeturinat nga djegia plehrave arrijnë deri në lagjet periferike të qytetit. Izolimi dhe më pas evadimi për në krematorium i 700 ton mbetje kimike me linden e squfur rriti sigurinë ekologjike. Vetëm Bashkia e Durrësit shpenzon në një vit më shumë se 1.1 milionë dollarë për pastrimin e qytetit, ndërsa shuma të mëdha japin edhe komunat e bashkitë e tjera në këtë qark vetëm për uljen e ndotjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›