E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg pa afat pronarit të lokalit "Drenica"

Burg pa afat për
vrasësin e 40-vjeçarit
në Plazhin e Durrësit.
I akuzuari si autor i vrasjes së
Agron Bodllit, Gani Kapiti, ka
dalë dje para gjykatës për
vlerësimin dhe caktimin e
masës së sigurisë ndaj tij.
Akuza është paraqitur nga
prokurori Kudret Kadia,
ndërsa mbrojtjen e Kapitit e
bëri avokati Ilir Malindi. Në
seancë është deklaruar se
vrasja e Bodllit është kryer
nga 43-vjeçari Gani Kapiti në
kushtet e tronditjes së thellë
psikike. Duke u bazuar në
rrethanat që çuan në këtë
akt, avokati mbrojtës kërkoi
një masë më të butë sigurie,
nga ajo që kërkoi prokurori i
çështjes Kadia. Në këtë
kërkesë mbrojtja theksoi se
duhet të merret parasysh situata
që e çoi klientin e saj
drejt krimit, si dhe fakti që ai
u dorëzua vetë për t‘iu nënshtruar
vullnetit të drejtësisë.
Megjithatë përtej pretendimeve
të mbrojtjes,
gjyqtari i seancës Shpëtim
Reka, e vlerësoi të ligjshëm
arrestimin e Kapitit që erdhi
pas dorëzimit të tij në polici,
si dhe la në fuqi kërkesën e
prokurorit për masë sigurie
"arrest me burg" për aq kohë
sa do të zgjasin hetimet për
këtë ngjarje të rëndë. Konfliktet
për pronësinë kanë shkaktuar
edhe një herë viktima,
pa marrë zgjidhje në organet
dhe strukturat përkatëse
shtetërore dhe gjyqësore,
të cilat ishin vënë në
dijeni të konfliktit, po nuk
mundën ta parandalojnë
atë. Konflikti Bodlli-Kapiti
nisi pas dëmtimeve që pësoi
një pjesë e godinës së autorit
të krimit gjatë hapjes së
themeleve për një ndërtim
me leje nga bashkia të Agron
Bodllit, që ndodhet ngjitur
me lokal "Drenicën" e
vëllezërve Kapiti në Plazhin
e Durrësit. Prej disa kohësh
të dyja palët ishin përfshirë
në një konflikt të ashpër dhe
Kapiti i ishte drejtuar gjykatës
për të kërkuar zgjidhje
ashtu si dhe të gjithë drejtuesve
lokalë dhe krerëve të
qeverisë dhe shtetit për
shqetësimin, para se të përfundonte
në vrasjen e "armikut"
të pronës së vet. Gani
Kapiti akuzohet për vrasje
me dashje, vepër penale e
parashikuar nga neni 76 i
Kodit Penal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›