E Shtunë, 31 Tetor 2026

"S‘do ndalemi pa e zgjidhur çështjen e pronave"

Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, zhvilloi dje takimet e tij elektorale në Malësi të Madhe dhe Koplik, ku diskutoi me banorët e kësaj zone për hallet dhe shqetësimet e tyre. Gjatë fjalës së tij, Mediu përmendi një sërë arritjesh të realizuara deri tani nga mazhoranca aktuale, duke u ndalur mbi investimet në infrastrukturë, luftën kundër trafikut dhe korrupsionit. Ai iu referua edhe politikave mbështetëse të mazhorancës të aplikuara gjatë katër viteve të fundit në sektorë të ndryshëm jetikë. Në përfundim të fjalës, kreu republikan Mediu vuri theksin mbi çështjen e rëndësishme të familjes, duke theksuar se "një familje, që të jetë e shëndoshë, kërkon vëmendje dhe përkushtim maksimal nga të gjithë ne, ndaj, për këtë arsye, askush nuk duhet të ndalet në garantimin e përmirësimit të kushteve të jetesës për familjen e tij". Mediu shtoi se "ne nuk do të ndalemi asnjëherë në zgjidhjen e çështjes së pronës, pasi kjo ka qenë përherë pjesë e rëndësishme e politikës sonë si republikanë dhe do të vazhdojë të mbetet e tillë. Kjo çështje duhet të zgjidhet përfundimisht gjatë mandatit të dytë qeverisës të së djathtës". Mediu në një ndalesë tjetër në qytetin e Tiranës, prezantoi dy kandidatët për deputetë të kësaj force politike për zonën zgjedhore, Suela Qelibari dhe një nga ish-personazhet e "Big Brother Albania 1", Shkëlqim Brushulli. Mediu theksoi se "tashmë ne jemi anëtarë me të drejta të plota në NATO dhe kjo është një arritje historike për Shqipërinë. Përpara ne kemi sfida dhe projekte të tjera. BE është një ëndërr e madhe e jona dhe këtë do ta realizojmë, të gjithë bashkë, duke vazhduar të punojmë me reforma të tjera të suksesshme dhe investime të mëtejshme, për një jetë më të mirë, për një ekonomi më të zhvilluar dhe më stabël, për të arritur edhe më tej standarde evropiane", nënvizoi Mediu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›