E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen grabitësit e firmave në "autostradë"

Dy persona janë vënë në
pranga nga Policia e Tiranës
nën akuzën e grabitjes
dhe shkatërrimit
të pronës. Marsel Marku dhe Spartak
Boshani janë autorë edhe të një
plagosje, e ndodhur në ambientet
e një firme në zonën e autostradës
në periferi të kryeqytetit. Burime
zyrtare nga Policia e Tiranës thanë
se këta persona dyshohet se janë
autorët e disa grabitjeve në këtë
zonë, e cila ka terrorizuar kohët e
fundit firmat që ushtrojnë aktivitetin
financiar përgjatë autostradës
Tiranë-Durrës. Kohët e
fundit, sipas inspektorëve të policisë
lokale, zona ishte përfshirë
nga grabitjet e vazhdueshme dhe
është dashur përqendrimi i dhjetëra
agjentëve për të zbuluar
këtë grup. Megjithatë është arritur
të dokumentohet vetëm një rast,
ndërsa dy të arrestuarve u janë
marrë gjurmët e gishtave për t‘i
krahasuar me disa grabitje që
kanë ndodhur në të kaluarën.
Hetimet
Burimet zyrtare nga Policia e
Tiranës thanë se provat janë dërguar
në laboratorin kriminalistik
në Ministrinë e Brendshme dhe
pas disa ditësh do të jepen përgjigjet
e para. Por ajo që është më e
rëndësishme për policinë është
dokumentimi i të paktën një rasti,
që mundi të izolojë dy autorët.
"Komisariati i Policisë Nr. 6 Tiranë
kreu arrestimin në flagrancë të shtetasve
Marsel Gjergo Marku, 37
vjeç, lindur dhe banues në Domje,
Tiranë, dhe Spartak Nazmi Boshani,
36 vjeç, lindur në Korçë dhe
banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u
krye sepse dyshohet se në bashkëpunim
kanë plagosur me mjete
të forta, duke i shkaktuar dëmtime
trupore, shtetasin Ramadan Murati,
25 vjeç, banues në Domje me
punë roje i një firme private", thanë
burimet zyrtare të policisë. Sipas
tyre, dyshohet se dy shtetasit kanë
dëmtuar edhe xhamat e fasadës së
kësaj firme. "Po punohet për dokumentimin
ligjor të disa vjedhjeve të
ndodhura në këtë zonë, ku këta dy
shtetas dyshohen si autorë", përfundojnë
burimet zyrtare të Policisë
së Tiranës.
Ngjarjet
Dhjetëra grabitje të dhunshme
kanë ndodhur në autostradën
Durrës-Tiranë. Objektet e prekura
kanë qenë kryesisht firmat që
gjenden në këtë zonë industriale të
Tiranës. Por nuk kanë munguar as
grabitjet e disa bankave, ku persona
me maska kanë arritur të marrin
qindra milionë lekë dhe të zhduken
pa lënë asnjë gjurmë. Policia thotë
se ka dyshime se grabitjet janë kryer
nga dy të arrestuarit Marku dhe
Boshani. Megjithatë, hetimet e
mëvonshme do të saktësojnë çdo
dyshim. Krahas këtyre ngjarjeve,
edhe qytetarë të thjeshtë kanë denoncuar
në Komisariatin e Policisë
Nr. 6 se janë grabitur me dhunë nga
disa persona rreth 30 vjeç. Disa javë
më parë, në këtë zonë, është sulmuar
një çift bashkëshortësh që
sapo kishin mbyllur një pikë për
transferta parash dhe po udhëtonin
në autostradën Durrës-Tiranë.
Makina me të cilën ata udhëtonin
është goditur nga një automjet
tjetër në pjesën anësore të krahut
të shoferit, dhe më pas ky automjet
i ka prerë rrugën duke detyruar
çiftin të ndalonin makinën. Njëri
prej autorëve i ka marrë me forcë
çantën e dorës bashkëshortes së
tij dhe më pas janë larguar në
drejtim të Tiranës. I dëmtuari është
nisur me mjetin e tij për në Spitalin
Ushtarak në Tiranë për të
marrë ndihmë mjekësore, ndërkohë
ka bërë dhe njoftimin për ngjarjen
e ndodhur në Policinë e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›