E Diel, 1 Nëntor 2026

Demokratët e Sukthit, protestë te selia e PD

Hartimi i listave për deputetë nga selia blu nuk është pritur mirë nga baza e saj. Menjëherë pas publikimit të tyre nga kryetari i PD-së Sali Berisha nisën të dilnin në pah edhe zërat e parë kundër. Këta të fundit nuk e fshehën pakënaqësinë e të mbeturit jashtë liste apo të renditur ndër emrat e fundit, ku shanset për t‘u bërë pjesë e skuadrës së PD-së në Parlament janë të pakta për të mos thënë zero. Disa anëtarë të PD-së nuk kanë preferuar ta lënë me kaq këtë çështje. Dje, në selinë e PD-së, janë parë duke protestuar rreth 50 banorë të Sukthit, të cilët i kërkonin kryetarit të PD-së, Sali Berisha, që të bëjë pjesë të listës edhe Sami Gjergjin, deputetin aktual të kësaj zone. Sami Gjergji nuk është më pjesë e listës së PD-së pas dorëheqjes së tij në shenjë proteste për pozicionimin nga fundi i listës në Qarkun e Durrësit. Ky veprim, sipas Gjergjit, ishte një mungesë vlerësimi nga lidershipi demokrat. Përfaqësia e banorëve të Sukthit vlerësoi lart deputetin, duke theksuar se ai gjatë këtyre katër viteve ka qenë pranë halleve dhe shqetësimeve të zonës. "Kemi pasur gjithmonë një derë ku të trokasim dhe të zgjidhim problemet tona", u shprehën publikisht banorët. Ata i bënë të ditur Kryeministrit Sali Berisha se, nëse ai nuk dërgon si kandidat për deputet në zonën e tyre Sami Gjergjin do të bojkotojnë zgjedhjet. Në vlerësimin e tyre, kjo mospjesëmarrje do të përkthehet si humbje për të djathtën. Protesta e tyre para PD-së ka zgjatur për më shumë se një orë, por zëri ka rënë në vesh të shurdhër, sepse askush nga drejtuesit e selisë blu nuk i ka pritur për të dëgjuar më konkretisht shqetësimin. Gjithçka për protestën është marrë vesh përmes medias.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›