E Diel, 1 Nëntor 2026

Burg pa afat shkodranëve dhe malazezit të kokainës

02/12/2004  TIRANË – Kastriot Pepaj dhe Altin Keka nga Bajza, edhe pse kishin marrë për të mbrojtur interesat e tyre avokatin Vladimir Meçe, nuk arritën të ngrinin një alibi bindëse për gjykatën dhe të shpëtonin nga arresti me burg. Të njëjtin fat pati edhe i pandehuri Leon Dreshaj, pronar i një diskoje në qendër të Tuzit në Mal të Zi. Ky i fundit u mbrojt nga avokati Bajram Malaj, i caktuar kryesisht nga gjykata. Megjithëse u kapën në flagrancë me 1 kile kokainë të pastër, e destinuar për të kaluar në Mal të Zi, të pandehurit nuk e kanë pranuar akuzën. Shtetasi nga Mali i Zi është shprehur se ishte mysafir te shkodranët dhe se nuk kishte dijeni për drogën. Të paditurin kanë bërë edhe dy të pandehurit e tjerë, të cilët ishin edhe pronarë të makinës. Të pandehurit, sipas akuzës, ishin duke udhëtuar me një makinë luksoze. Akuza tha dje se, të pandehurit janë kapur në flagrancë me sasinë e drogës dhe se emrat e tyre kanë qenë të skeduar edhe më parë. Mendohet se shtetasi nga Tuzi i Malit të Zi, ishte person shumë i njohur në këtë zonë, pasi ishte pronar diskoje, por edhe dy shtetasit nga Bajza lëvizinin shpesh për në Mal të Zi. Në orët e vona të së premtes të datës 26 nëntor, policia e antidrogës arrestoi shtetasit Kastriot Pepaj, 32 vjeç, nga Bajza, Altin Keka, 35 vjeç, po nga Bajza dhe Leon Dreshaj me origjinë shqiptare, por lindur dhe banues në Mal të Zi. Këta persona akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar një rrjet trafiku ndërkombëtar të kokainës. Arrestimi nuk ka qenë i rastësishëm. Prej disa ditësh, ata kanë qenë nën vëzhgimin e agjentëve të antidrogës. Agjentët kanë patur një sinjalizim për lëvizjen e një ngarkese droge të pastër për në Mal të Zi, nga këta tre persona. Pas informacioneve se kokaina ndodhej në makinë dhe po transportohej në Mal të Zi, policia ka ngritur një postbllok në dalje të qytetit të Shkodrës. Pas kontrollit në makinë, në pjesën e brendshme të bagazhit, është gjetur 1 kilogram kokainë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›