E Diel, 1 Nëntor 2026

Hakmarrja, adresa e Altin Arapit shtyn gjyqin për herë të katërt

02/12/2004  TIRANË – Altin Arapi, tashmë dihet se ndodhet në Belgjikë, ku ka përfituar edhe azilin politik. Por për gjykatën, ky fakt që dihet nëpërmjet medias nuk merret parasysh. Në dosje duhet të futet gjithçka e provuar me dokument. Kështu, për herë të katërt procesi gjyqësor ndaj të grupit "Hakmarrja për Drejtësi" është shtyer. Shkak për të mos u zhvilluar seanca gjyqësore është bërë mungesa e njoftimit për të pandehurin Altin Arapi. Sipas gjykatës, për Arapin, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë është nisur një letërporosi. Kjo letër do të bëjë të mundur njoftimin zyrtar të Arapit dhe, më pas do të hapë mundësinë e fillimit të shqyrtimit gjyqësor. Gjykata tha dje se, Ministria e Drejtësisë ende nuk ka njoftuar për nisjen e letrës drejt shtetit belg, ku gjendet i strehuar edhe Altin Arapi. Seanca e djeshme vazhdoi vetëm dhjetë minuta. Kjo kohë u mor nga procesi ndaj të dyshuarve për vrasjen e Taulant Muçës. Në bankën e të akuzuarve te "Hakmarrja për Drejtësi" ndodhet vetëm i pandehuri Gëzim Gjoni. Deri tani ky i pandehur ka marrë njoftimin, por ka preferuar të përfaqësohet nga avokati mbrojtës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›