E Diel, 1 Nëntor 2026

Terrorizmi, Sollaku takim me prokurorin bullgar

02/12/2004  TIRANË -Prokurori i Përgjithshëm i Bullgarisë vizitoi dje Tiranën. Zyra e shtypit pranë Kabinetit të Kryeprokurorit shqiptar Theodhori Sollaku, njoftoi se vizita e homologut bullgar, zhvillohet në kuadër të rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve në përgjithësi dhe bashkëveprimit në fushën e drejtësisë në veçanti. Vizita e Kryeprokurorit bullgar, sipas zyrtarëve të Prokurorisë shqiptare, ka në rendin e saj, edhe angazhimin e vendeve të rajonit të Ballkanit në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe terrorizmit. Mes këtyre vendeve, Bullgaria dhe Shqipëria janë shfaqur të gatshme në të gjitha forumet ndërkombëtare për të ndihmuar dhe përkrahur luftën kundër krimit dhe terrorizmit. Vizita e Kryeprokurorit bullgar në Tiranë, u zhvillua pak ditë pasi në kryeqytetin bullgar u zhvillua konferenca ndëkombëtare me temë “Luftimi i krimit të organizuar në Evropën Juglindore”. Në këtë konferencë Kryetari i parlamentit bullgar, Ognian Gerxhikov tha se për qytetarët bullgarë përbën rrezik trafiku i drogës, migracioni i paligjshëm, prodhimi dhe qarkullimi i parave false dhe i dokumenteve false të identifikimit. Këto kanë qenë edhe temat e diskutuara në takimin e djeshëm mes Kryeprokurorit shqiptar Sollaku dhe prokurorit të Përgjithshëm të Bullgarisë. Një temë tjetër e diskutimit, ishte edhe lufta kundër terrorizmit. Sollaku e ka informuar homologun e tij, për veprimet e Prokurorisë shqiptare në këtë drejtim. Në fjalën e tij për terrorizmin Kryeprokurori bullgar tha se “pritet që Bullgaria të bëhet kufiri lindor i BE-së. Dhe për këtë arsye puna në luftën ndaj krimit të organizuar është prioritet i politikës bullgare në luftën kundër krimit dhe moslejimit të futjes së emigrantëve të paligjshëm në BE. Në bullgari është e diskutueshme çështja nëse duhet të ketë apo jo një ligj i veçantë për luftimin e krimit të organizuar e terrorizmit. Sa i përket luftës kundër terrorizmit, masat kryesore duhet të gjejnë shprehje me anë të ligjit kundër financimit të terrorizmit dhe të krimit të organizuar në përgjithësi”, ka vijuar kreu i Prokurorisë bullgare. Kryehetuesi shqiptar, e ka informuar homologun e tij, për dy dosje të hapura në Shqipëri ndaj dy personave të përfshirë në listën e financuesve të terrorizmit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›