E Diel, 1 Nëntor 2026

"Espanja", grabitësit kërkojnë ripyetjen e pronarit

02/12/2004  TIRANË – Astrit Dinosha, Alban Strobel dhe Amant Duka, akuzuar për gjobëvënie dhe mashtrim në bashkëpunim, kanë kundërshtuar akuzat në Gjykatën e Apelit. Vendimin e Shkallës së Parë në Apel e ka kundërshtuar akuza. Të pandehurit dje janë shprehur se kanë rënë viktimë e makinacioneve të pronarit të lokal "Espanja" në Tiranë. Si Dinosha dhe Strobel, që janë në gjendje arresti, kanë mohuar pjesëmarrjen e tyre në mashtrim dhe gjobëvënie. Ata kërkuan dje në Apel, që procesi të bëhej nga e para. I kërkuan trupit gjykues ripyetjen e të dëmtuarit Roland Ziu, pronarit të lokal "Espanja". Kërkesa e të pandehurve u mor parasysh nga ana e gjykatës. Dinosha, Strobel janë kallëzuar nga ana e Roland Ziut, shtetasit nga Berati, në datë 2 shtator 2003. Ndërkohë, në datë 10 të po këtij muaji ka filluar procedimi penal. Sipas akuzës, të pandehurit i kanë vënë një gjobë prej 500 mijë dollarësh Roland Ziut. Ata u prezantuan te ky shtetas si përfaqësues të agjencisë amerikane të antidrogës me emrin "DEA". I thanë Ziut se emri i tij ishte i skeduar në listat e zeza dhe kështu, ata, në qoftë se do të paguheshin do ta hiqnin prej andej. Por para Gjykatës së Shkallës së Parë, Ziu u shpreh se e dinte shumë mirë që të pandehurit po bënin një lojë me të dhe se u fut në këtë vorbull për të zbuluar qëllimin e tyre. Alban Strobel dhe Astrit Dinosha u dënuan me nga 4 vjet heqje lirie, ndërsa i pandehuri Amant Duka, i cili u hetua dhe gjykua në mungesë, u dënua me 3 vjet e 6 muaj burg. Duka u dënua si bashkëpunëtor i afërt i Strobel dhe Dinoshës. Më të vërtetuar akuzën e kishin dy të pandehurit e parë, të cilët janë hequr sikur e kanë patur mik dhe kanë bërë një shaka. Por nuk e ka quajtur të tillë i dëmtuari Roland Ziu. Të pandehurit nuk ishin të pranishëm në seancën për dhënien e vendimit, ndërsa në vendin e tyre ndodheshin të ulur avokatët mbrojtës. Sipas përfaqësuesit të akuzës, të pandehurit duhej të dënoheshin me nga 13 vjet heqje lirie. Por, me sa duket, për gjykatën elementët e veprës penale kanë qenë më të pakta. Para gjykatës si provë është regjistruar edhe dëshmia e të dëmtuarit Roland Ziu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›