E Hënë, 2 Nëntor 2026

Burg pa afat taksistit, që vrau studentin

22/04/2005  Gjykata dje dha masën e sigurisë për Ardian Dinin, vrau Elton Elbasanin

SHKODËR - Është zhvilluar dje paradite në Gjykatën e Shkallës së Parë të rrethit të Shkodrës, seanca gjyqësore për marrjen e sigurisë ndaj shtetasit 39-vjeçar Ardian Dini, i akuzuar për vrasjen e studentit Elton Elbasani. “Burg pa afat” është dhënë për shoferin e furgonit taksi, Dini, i cili të dielën vrau pas një grindje çastit studentin 22-vjeçar të Akademisë Ushtarake.

Burimet nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, bëjnë të ditur se çështja e këtij shtetasi u gjykua nga gjykatësi Albano Çepele. Prokurori, që u mor me hetimin e kësaj çështjeje, Lazër Çardaku, i kërkoi trupit gjykues marrjen e masës së sigurisë ”arrest me burg”, për veprat penale të vrasjes me dashje dhe të mbajtjes pa leje të armës së ftohtë. Nga ana tjetër, avokati mbrojtës i të akuzuarit Dini, Bahri Piri, pas konsultimit me klientin e tij, u shpreh se i akuzuari është dakord me arrestimin e tij nga policia dhe se ishte i vetëdijshëm se kishtë bërë një veprim të gabuar dhe të dënueshëm, prandaj dhe ishte dorëzuar vetë në duart e policisë. Madje i akuzuari Dini, që gjatë gjithë seancës i kishte sytë të mbushur me lot, nëpërmjet avokatit të tij, Piri, jo vetëm që ishte dakord me marrjen e masës së sigurisë “arrest me burg”, por e kërkoi edhe vetë një masë të tillë. Avokati Piri u shpreh se klienti i tij, po e përjetonte në mënyrë shumë të rëndë veprimin e kryer dhe se nuk kishte dashur që të vriste të riun Elbasani, por reagimi dhe veprimi i tij, kishte ardhur në një moment delikat për të. Në fund të seancës, gjykatësi Albano Çepele, pranoi kërkesën e bërë nga prokurori i çështjes Çardaku, duke e lënë në burg të akuzuarin Dini, për të cilin do të zhvillohen seanca të tjera gjyqësore deri në dhënien e vendimit përfundimtar. Pas marrjes së masës së sigurisë, 39-vjeçari Ardian Dini u ridërgua në qelitë e paraburgimit të komisariatit të Shkodrës, ku do të qëndrojë deri në dhënien e denimit.

Sherri nisi për 50 lekë

Një grindje për një biletë udhëtimi, Shkodër-Tiranë është bërë shkas për ngjarjen e rëndë të ndodhur të dielën e kaluar në zonën në afërsi të “Pazarit të Vjetër”, ku mbeti i vrarë studenti Elton Elbasani. Ardian Dini, banues i fshatit Dobraç, të rrethit të Shkodrës, me profesion taksist furgoni të linjës Shkodër-Tiranë, pas një grindjeje të momentit me studentin e Akademisë ka dalë jashtë furgonit për “t’u sqaruar”, duke e qëlluar me thikë djalin e vetëm të familjes Elbasani. Disa orë pas ngjarjes, drejtuesi i furgonit taksi është vetëdorëzuar i penduar për gjithçka kishte ndodhur. 22-vjeçari, nga qyteti i Shkodrës, Elton Elbasani pas tre muajsh do të diplomohej si studenti më i shkëlqyer i Akademisë Ushtarake, ku studionte.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›