E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shiu përmbyt lagjet e vjetra të Vlorës

22/04/2005  VLORË/ Përmbytja

VLORË - Mjafton një shi i vogël, e qyteti i Vlorës përmbytet. Shiu i filluar qysh në orët e para të mëngjesit të djeshëm ka përmbytur pothuajse gjithë qytetin e Vlorës. Sipas burimeve zyrtare nga Bashkia mësohet se lagjet më të përmbytura kanë qenë Çole, Kume, Plazhi i Vjetër. Këto lagje, edhe pse me kanalizime gjigante, të ndërtuara qysh prej kohës së monizmit, nuk funksionojnë e janë totalisht të mbushura me dhera e mbeturina të çfarëdoshme. Në mëngjesin e djeshëm, kur banorët kanë dalë nga pallatet e shtëpitë private të lagjes Çole e kanë pasur të pamundur që të ecin në rrugë, pasi aty nuk shikohej asnjë shenjë nga rruga, nëpër të cilën banorët kishin kaluar në darkë. Mihal Capo, banor i lagjes Çole, ka pohaur dje për gazetën “Metropol” se e kanë bërë disa herë prezent problemin e tyre pranë organeve të pushtetit lokal, por, sipas tij, këmbanat e tyre të alarmit kanë rënë në veshë të shurdhët. “Fëmijët tanë shkojnë në shkollë me dy palë rroba e këpucë të futura nëpër çantat e shkollës, si në kohën e paraçlirimit, kur këneta ishte sunduese në Çole”.

Por nga përmbytja nuk kanë shpëtuar edhe institucione publike si Universiteti, Dogana, Porti e Kapiteneria. Rruga kryesore që lidh Vlorën e vjetër me këtë pjesë të qytetit, ishte nën ujë dhe pusetat e hapura në kësi rastesh nga ndërmarrja komunale për të shkarkuar sadopak ujin ka qenë një pengesë serioze për makinat, të cilat rrezikonin ngecjen nëpër puseta. Pas 5 orësh pune nga operatarët privatë e shtetërorë, por edhe nga ndërprerja e shiut, lagjet nën ujë janë çliruar disi, duke bërë të mundur qarkullimin lirisht me lagje të tjera të qytetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›