Përmbytet fshati Vig Mnelë

22/04/2005 SHKODËR – Përmbytje në fshatin Vig-Mnelë. Gjatë ditës së djeshme janë përmbytur 35 shtëpitë e këtij fshati, në të cilat niveli i ujit të hyrë brenda dhe ka arritur 25 deri në 30 cm. Reshjet e pandërprera të shiut dhe sasia e madhe e tyre e rënë këto ditët e fundit në Qarkun e Shkodrës, kanë bërë që të shtohet shumë niveli i ujit dhe të rritet shpejtësia e lumit Gjadër. Janë këta faktorë që kanë sjellë përsëri përmbytje në komunat e Vaut të Dejës, ku dje janë përmbytur 25 ha tokë e mbjellë me misër, grurë dhe prodhime të perimeve të stinës si domate, presh, sallata, si dhe një sipërfaqe e madhe me vreshta, ku uji i tepërt dhe i vrullshëm, jo vetëm që po i nxjerr rrënjët, por edhe po ndikon në kalbjen e tyre. Kishte mëse dhjetë ditë që banorët e këtyre zonave interesoheshin për marrjen e masave për të parandaluar përmbytjet në këto zona, përmbytje këto që mund të përsëriteshin me ardhjen e shirave të vjeshtës, pa e ditur se përmbytja e tyre do të ndodhte tani në pranverë. Me përmirësimin e kushteve atmosferike, banorët e disa fshatrave të Laç-Vau i Dejës dhe veçanërisht të fshatit të përmbytur ngritën përsëri zërin për rregullimin e argjinaturave dhe të digave të shkatërruara, të cilat në periudhën e fundit vjeshtë–dimër paraqitën probleme të shumta dhe një rrezik të madh përmbytjeje, për qindra banorë dhe për dhjetëra shtëpi, nga lumi Gjadër. Ndërsa tek argjinatura e dëmtuar e Naraçit në njëfarë mënyre ishte vënë dorë, këto kohët e fundit, te diga që mbronte fshatin Vig-Mnelë, nuk ishte marrë asnjë masë për parandalimin e përmbytjeve. Banorët e fshatit Vig-Mnelë sqarojnë se, në dy vitet e fundit lumi Gjadër kishte krijuar probleme të mëdham pasi sillte mjaft mbeturina inerte, duke krijuar një tejmbushje të shtratit të tij. Prurjet më të mëdha ishin sidomos pas thyerjes së digës në vitin 2003, që shërbente si pritë në Malin e Rrëzuar.