E Hënë, 2 Nëntor 2026

Grindet me shokun e plagos me armë,vret edhe mësuesin që po i ndante

22/04/2005  Aktualitet

Krim i rëndë në oborrin e shkollës së mesme në Zogaj të Tropojës

TROPOJE - Rrugës për në shkollë, qëllohet për vdekje nga nxënësi i tij, Ilir Aliaj, mësues i historisë dhe gjeografisë. Ndërkohë para vrasjes së mësuesit, i njëjti nxënës, qëlloi dhe plagosi me armë një bashkëmoshatarin e tij, të cilin e plagosi. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm në shkollën e mesme të fshatit Zogaj, në rrethin e Tropojës.

Sipas policisë lokale, të cilët i janë referuar dëshmitarëve në ngjarje, nxënësi i vitit të tretë, Muj Malaj, ka qëlluar me pistoletë fillimisht mbi nxënësin e vitit të katërt, Artan Hysenaj dhe pastaj mbi mësuesin 30-vjeçar Ilir Aliaj në momentin kur ky i fundit po përpiqej të shuante një zënkë midis dy adoleshentëve. Nga të shtënat me armë, ka vdekur pa mbërritur në spital mësuesi Ilir Aliaj, ndërsa i plagosuri ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Gjakovës.

Vdekja e mësuesit tronditi mbarë opinionin e vendit. Ai u bë aksidentalisht viktimë, ndërsa do të ndante dy të rinj, që po ziheshin ashpër. Ilir Aliaj ishte mësues kujdestar për nxënësin e vitit të katërt, Artan Hysenaj.

Ngjarja

Rreth orës 08.20 të mëngjesit të djeshëm, mësuesi i histori-gjeografisë po nxitonte për të mbërritur në shkollën ku jepte mësim. Banor i zonës Zogaj, po ecte në këmbë, kur pa të rinjtë të kacafytur në rrugicën e vogël, që të shpie drejt e në shkollë. Jashtë portës së gjimnazit, sipas burimeve të policisë, nxënësi i vitit të tretë, Muj Malaj, i ka zënë pritë maturantit Artan Hysenaj kohën kur ky nga shtëpia po shkonte në shkollë.

Mësohet se mes tyre ka patur një konflikt të mëparshëm, konflikt ky që është pasojë e pakënaqësive të grumbulluara, por asgjë nuk është zyrtarizuar.

As banorët, dëshmitarë të ngjarjes, nuk tregojnë me tepër sesa për trupin e gjakosur të mesuesit 30 vjeç.

Kur Aliaj u ka kërkuar të rinjve të ndahen nga njëri-tjetri, dhe ka terhequr Hysenajn qëkishte një thikë në dorë, nxënësi Malaj ka qëlluar me pistoletë mbi bashkëmoshatarin, duke e plagosur në krah atë dhe mandej edhe mbi mësuesin në kraharor. Nga të shtënat e armës, dëmtime të lehta ka pasur edhe një tjetër nxënës.

Kolegët e mësuesit, kanë vrapuar për t’i dhënë ndihmën e shpejtë kolegut dhe nxënësit. Por, mësuesi nuk ka mundur të shpëtojë, ndërsa ka vdekur rrugës për në spitalin e Gjakovës. I plagosuri rëndë Artan Hysenaj aktualisht po merr ndihmën mjekësore në po këtë spital.

Mësuesi

Mësuesi i histori-gjeografisë, Ilir Aliaj, ishte martuar vetëm pak muaj më parë. Sipas dëshmive të kolegëve, mësohet se 30-vjeçari me arsim të lartë shquhej në shkollë edhe në zonën e Zogaj si një njeri që kishte lënë pas jetën në metropol si dhe rrugët për të emigruar në emër të profesionit dhe të impenjimit të tij mes të rinjve në Tropojë. Kolegët tregojnë për të si për një njeri që kishte vendosur t’u jepte brezave poshtë tij pak nga idetë dhe mendimet për të jetuar në paqe dhe në harmoni me njëri- tjetrin, ndonëse në një vend ku numërohen me qindra të vrarë dhe me pjesën më të madhe të familjeve në konflikt. Ai la pas familjen e tij me motra e vëllezër pse kërkoi të ndihmonte dy të rinj në konflikt.

Autori

Autori, sipas kolegëve të Alisë, pasi ka qëlluar për vdekje mësuesin dhe plagosur bashkëmoshatarin e tij dhe është larguar me shpejtësi në drejtim të banesës në Has. Por, policia nuk e ka gjetur gjatë kontrollit për ta arrestuar. Momentin kur i riu, 17 vjeç, qëlloi me pistoletë në drejtim të dy personave, gjimnazistët të terrorizuar janë larguar nga shkolla për t’u mbyllur nëpër banesat e tyre, apo te shokët afër.

Askush nuk ka mundur të përballet me autorin, i cili ka vrapuar me armë në dorë. Kolegët e kanë patur të vështirë të ndihmojnë njeriun e tyre, kur shikonin turmat e nxënësve tek largoheshin me shpejtësi, si për të fshirë nga kujtesa atë ç’kishin parë.

Asnjë gjurmë deri në orët e vona të mbrëmjes së kaluar

Policia në kërkim të gjimnazistit vrasës

Për orë të tëra, forcat e policisë lokale janë vënë në kërkim të gjimnazistit, i cili vrau mësuesin e tij dhe plagosi bashkëmoshatarin. Dhe pse është dyshuar shumë për fshehjen e Muj Malës në shtëpinë e tij, në një fshat të Hasit, policia nuk e ka gjetur. Nuk dihet ende se cili ishte konflikit midis dy të rinjve, por ka dyshime se ata kishin kohë në marrëdhënie të ftohta. Për këtë, zyrtarë të policisë mendojnë se vjen si pasojë e një konflikti jo të bujshëm të mëparshëm. Dhe kjo është përforcuar pas konfliktit të djemve para ditës së djeshme. Sipas policisë, kjo duket se ka ndikuar edhe në armatosjen e të riut Muj Malës, që besohet se pistoletën duhet ta ketë marrë dhe herë të tjera në ambientet e shkollës, ndërsa maturanti dje kishte një thikë.

16 shkurt 2005/ Tritoli vrau mësuesin në shtëpi

Iliri dhe Rizai, dy mësuesit e vrarë këtë vit në Tropojë

TROPOJË - Një mësues tjetër humbi jetën, ndërsa u plagosën katër persona të tjerë, pas shpërthimit të një sasie tritoli në një pallat, të lagjes “28 Gushti”, në qytetin e Bajram Currit.

Ngjarja ndodhi rreth 02.00, të datës 16 shkurt të këtij viti, kur një shpërthim tritoli në banesën e shtetasit Riza Aliaj, 54 vjeç, i mori jetën mësuesit. Nga ky shpërthim u plagosën bashkëshortja e tij, Vera Aliaj, punonjëse në zyrën e tatim taksave të bashkisë së Bajram Currit dhe u lënduan dy vajzat e tij, Raisa, 11 vjeçe dhe Lorena, 9 vjeçe.

Riza Aliaj ishte një mësues me stazh të vjetër, drejtues në disa shkolla të këtij rrethi si në Fierzë, Pac etj. Së fundi ishte mësues në Llugaj.

Pallati ndodhet në qendër të qytetit dhe pranë institucioneve kryesore të pushtetit vendor. Nga shpërthimi, pati dëmtime të ndjeshme materiale të disa banesave afër vendit të shpërthimit.

Burime të policisë lokale ende nuk kanë bërë të ditur shkaqet dhe autorët, ndërkohë që mësohet se në orët e mbrëmjes së kaluar është djegur kabina elektrike, që furnizonte me energji jo vetëm këtë pallat, por edhe banesa të tjera në atë lagje.

Rreth orës 17.00, të një dite më parë, ishte djegur kabina elektrike që furnizonte me energji elektrike jo vetëm pallatin ku banonte mësuesi, por edhe një pjesë të pallateve të lagjes "28 Gushti".

Xhaxhai i mësuesit, Mustafa Aliaj flet për ngjarjen tragjike

“Iliri, i vetmi që guxoi të futej mes dy nxenësve të armatosur”

Jo vetëm banorët e komunës së Zogaj, por e gjithë Tropoja është tronditur dje nga vdekja e mësuesit të gjeografi-historisë në gjimnaz, i cili u vra duke ndërhyrë për të ndarë dy nxënësit e tij, që ishin në sherr. Gjimnazi që mblidhte nxënës të fshatrave të ndryshën edha nga ata të Hasit, dje përjetoi ditën më të keqe nga koha e krijimit. Nxënës dhe kolegë të mesuesit Ilir Alija vështirë të harrojnë njeriun e tyre, që vdiq tragjikisht. Në shtëpinë e Alijave kanë mbërritur njerëz bnga e gjithë Tropoja. Prindërit, tre vellezërit, motra e vetme e Alisë, gruaja, me të cilën kishte vetëm 10 muaj martuar, prisnin ngushëllime dhe vajtonin për humbjen e njeriut të tyre.

“Kjo është një ngjarje tragjike, është një humbje që nuk mundem ta besoj, nipi im vdiq për të shpëtuar dy të rinj“, thotë xhaxhai i mesuesit, Mystafa Aliaj, i cili pranon të tregojë ngjarjen për gazetën “Metropol“.

Zoti Mustafa, ju përcjellim ngushëllimet nga kolektivi i gazetës për humbjen e nipit tuaj, mësuesit Ilir Aliaj, që vdiq tragjikisht në emër të paqes...

Ju faliminderit. Eshtë një ngjarje tragjike. Nuk ka ndodhur ndonjëherë në këtë zonë. Për vite me radhë, por edhe për 15 vitet e fundit në Zogaj askush nuk ka ngritur dorën e vdekjes. Nipi im vdiq për të shpëtuar jetën e dy nxënësve të gjimnazit, ku Ilir jepte mësim.

Nga dëshmitarët thuhet se Iliri u qëllua askidentalisht para shkollës. Ju çfarë keni mësuar për këtë ngjarje?

Iliri sapo kishte dalë nga shtëpia për të filluar ditën e mësimit në gjimnaz këtu në Zogaj. Në një rrugicë të vogël, pak metra larg shkollës, dy të rinj, njerin prej të cilëve, Artan Hysenajn e kishte në kujdestari, maturant, po zihej me një tjetër Muj Malaj, një vit më i vogël se maturanti. Të dy ishin nxënës në gjimnazin e Zogaj. Iliri sapo i shikon vrapon për t’i ndarë. Ishte i vetmi që mori guximin të futej mes dy personave të armatosur. Nipi im mbërthen prej krahësh maturantin, i cili kishte një thikë, dhe e largon nga djali tjetër. Në këtë moment, gjimnazisti nxjerr revolen, nga ku e kishte fshehur dhe merr në shenjë gjimnazistin. Plumbi kap nipin tim në krah të zemrës, ndërsa po mundohet të tërhiqte djalin me thikë. Një plumb tjetër, si e keni marrë vesh dhe ju, plagos edhe nxënësin. Ilirin e nisën urgjentisht për në spitalin e Gjakovës, por ai nuk shpëtoi, vdiq rrugës.

A keni informacion nëse dy nxënësit kishin ndonjë konflikt më parë?

Me thënë të drejtën, ne nuk jemi të interesuar se çfarë ata kanë patur me njëri- tjetrin. Nipi im vdiq aksidentalisht, duke u munduar t’i shpëtojë. Iliri kishte vetëm 10 muaj i martuar dhe vdekja e tij është tragjike për të gjithë ne. Ai jepte mësim në gjimnazin e zonës tone, ku vinin nxënës nga të gjithë krahinat. Edhe nxënësi që u bë autor ishte banor i një fshati në Has e për mungesë shkolle atje vazhdonte në Zogaj. Kurse maturanti është banor i një fshati pranë nesh. Unë iu them dhe njëherë se kjo është një humbje e madhe, një ngjarje tragjike e padëgjuar në këtë vend.

Zogaj, fshati 100 vjetë pas “ngjarje”

Për shumë vjet me radhë, por kryesisht në 15 vitet e fundit, ku e gjithë Tropoja u përfshi nga gjakmarrja dhe hakmarrja me pasojë qindra të vrarë e qindra të ngujuar, kjo zonë nuk ka patur asnjë të vrarë, apo të plagosur. Ky komunitet në vite ka ecur duke ofruar paqen dhe harmoninë mes njëri- tjetrit. Burrat e mençur janë kujdesur për të fshirë qoftë edhe konfliktin më të vogël. Dje gjithçka ndryshoi. Një mësues u vra dhe hidhërimi ka prekur krejt popullatën.

11 tetor 2004/ Gjimnazistët theren me thika

Dy përfundojnë në spital, i treti në polici

ERSEKË – Grindja nëpër ambientet e shkollës, e ndodhur dje në Zogaj të Tropojës, është rast i përsëritur, që përfundon tragjikisht.

Jo më larg se 11 tetori i vitit 2004, grindja mes tre adoleshentëve të Shkollës së Mesme të Përgjithshme “Petro Nini Luarasi” në Ersekë ka pasur një bilanc të hidhur. Ndërsa dy prej tyre përfunduan të plagosur në spitalin e këtij qyteti, i treti përfundoi i arrestuar nga uniformat blu.

Nxënësi i vitit të parë D.Reshi kishte pasur një qejfmbetje nga dy nxënës më të rritur të shkollës, që kishin dashur ta vinin në lojë. D.Reshi ishte ndier i fyer dhe i kishte lindur mendimi që të hakmerrej me ta. Duke mos duruar buzëqeshjen ironike të tyre dhe meqë nuk i mundte dot fizikisht, kishte marrë me vete një thikë, me të cilën qëlloi në mjediset e shkollës dy gjimnazistët e rritur, Renato Hasanin, 17 vjeç, nga qyteti i Ersekës dhe Ervis Muçi, 18 vjeç, nga fshati Selenicë.

Klithmat e vajzave dhe djemve kanë ngritur në alarm mësuesit e shkollës, të cilët kur shkuan në vendngjarje kanë parë dy nxënësit e plagosur të shtrirë për tokë dhe të tretin duke u dridhur me thikë në dorë.

Të plagosurit janë çuar urgjentisht në spital, ku pas ndihmës mjekësore të kirurgut të vetëm të këtij rrethi, i kanë shpëtuar rrezikut për humbjen e jetës.

Policia, që mbërriti në vendngjarje, shoqëroi në mjediset e komisariatit adoleshentin më të vogël, por që është autor i plagosjes së dy adoleshentëve më të rritur.

Precedentët

Mësuesit edhe të rrahur nga nxënësit

16 korrik 2004

Maturanti godet dhe i vë gjobë, mësuesit të matematikës

FUSHË KRUJË - Goditet me grushta dhe kërcënohet për gjobëvënie një mësues i shkollës së mesme “Shote Galica”, në Fushë-Krujë. Ngjarja ka ndodhur në mjediset e shkollës ku mësuesi Bashkim Dushku, është përballur me nxënësin Miftar Babasi dhe është goditur prej këtij me grushta në fytyrë. Shkak i kësaj ngjarjeje ishte bërë fakti se nxënësi kishte mbetur në lëndën e matematikës në provimet e pjekurisë.

24 shtator 2004

Rreh mësuesin e djalit, arrestohet nga policia

BERAT - Një banor i fshatit Gajdë, njëkohësisht prindi i një nxënësi, ka goditur një mësues, që i jepte mësim djalit të tij. Fejzi Fisheku kishte shkuar në shkollën e djalit të tij dhe kishte rrahur me mjete të forta rrethanore dhe me grushta mësuesin Robert Jaho. Fisheku fillimisht kishte shkuar në klasën ku mësonte djali i tij, në klasën e katërt, dhe kishte rrahur rëndë një nxënësi tjetër, i cili ishte zënë me djalin e tij.

22 shkurt 2005

Për mikeshën e tij rreh mësuesin e saj

FUSHË KRUJË – Në mënyrë të përsëritur në shkollën e mesme “Shote Galica” në Fushë Krujë, një tjetër mësues është bërë pre e dhunës së nxënësve. Këtë herë ka qenë 21-vjeçari A.Çela, me banim në fshatin Armenas, të Fushë Krujës, i cili ka ushtruar dhunë fizike ndaj mësuesit Lami Bajza. Shkak, sipas policisë, është bërë vendosja e notës negative nga ana e mësuesit për një nxënëse, e cila mësohet se ka qenë e njohura e Çelës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›