Rrugëtimi i vështirë i kandidatit
22/04/2005 Po afrohen ditët kur në të gjithë vendin do të çelet panairi i madh i shijeve politike dhe kur secila ngjyrë partie do të reklamojë mallin e vet. Rruga deri në listat përfundimtare është rrugë e vështirë. Ajo kalon nëpër të gjitha molepsjet e tregtisë dhe të llogarive. Nëse në sipërfaqe secili ka pusin e vet ku pi ujë e shuan etjen, nën tokë burimet ngatërrohen dhe shpesh herë rrjedhin nëpër grykat e njëri-tjetrit, herë me dashje e herë të detyruar. Për të gjithë ne, ata që votojnë dhe ata që nuk votojnë, panairi i listave dhe reklama do të jetë një Panair i madh i kotësive. Një miku im i largët dhe i mjerë arriti me idealin e tij të madh dhe ambicjen e tij të sinqertë deri në përfshirjen në njërën prej gjashtëdhjetë e ca listave, pikërisht në atë listë ku bindjet e tij kanë qënë të pandryshueshme prej fillimit e ndërgjegjësimit politik, në atë listë ku vuajtjet e familjes nuk ia përgojuan dhe nuk i përdorën si dëshmi për veten e tyre ata që nuk kishin vuajtur kurrë gjatë diktaturës. Mirëpo, në panair nuk merr dot pjesë. Është kafshatë e pagëlltitshme për xhepin e tij fushata elektorale. Ai nuk ka parà më shumë se një rrogë mujore; nuk ka një ministrì që ta vërë në lëvizje për llogari të fushatës; nuk ka një doganë që ta kthejë në postbllok për hir të shpenzimeve dhe joshjeve të votës; nuk ka as parà të thata në kesh që t’i vëjë në përdorim për të arritur finalen. Nuk ka as një gazetë që ta kthejë në gazetë elektorale. Ideali i tij është shumë i pavlerë për këtë lloj panari politik. Dredhitë dhe intrigat e vogla përmbysin shtete dhe qeveri të fuqishme. Ai ato nuk i njeh dhe nuk dëshiron t’i njohë. Ai nuk e di që, ashtu si në Portën e Lartë të Sulltanit kalohej mes shërbëtorësh, edhe në majat e listave dhe sigurimin e fitoreve ngjitesh mes dallaveresh dhe llogarish aritmetike. Nëse një shërbëtor i afërt të siguron emrin në vendet e para të listave, ti mund t’ia shesësh vendin tënd gjatë fushatës kundërshtarit, i cili i ka varur shpresat vetëm te kutitë e votimit. Dhe që sherbëtori të kryejë ritin e tij të korrupsionit, t’i duhet të ngopësh lakminë e tij. Dihet që shërbëtori zakonisht ushqehet me menynë e pashait të vet të madh, ndaj dhe grykësia është shumë e pafre. Në Panair do të njihni përvijime të fytyrës model të Ali Pashë Tepelenës, intrigantët më të përkryer të arenës politike, që luajnë rolin e vet nën një maskim të përsosur, do të dalloni buzëqeshjen lakmitare në fytyra të shëmtuara, të neveritshme, të cilat nuk janë të përshtatshme për medalje, për shkëlqim dhe popullaritet. Mos e harroni zërin e tyre, i cili është i mirë për të pëshpëritur në vesh, për të ndërsyer, për të ndjellë dyshime, por kurrë nuk mund të ndezë masat me fjalime të zjarrta. Ata e dinë më mirë se kushdo që më të fortë janë në zyrën e shtetit, në kabinetin e premtuar prej Partisë, me dorë të mbyllur, në hije. Që aty mund të vëzhgojnë, të hetojnë, të bindin, të thurin, të shthurin fijet e intrigave, duke mbetur të padepërtueshëm, të pakapshëm. Kjo është e fshehta e fuqisë së tyre dhe paradoksi më i madh i Panairit të zgjedhjeve. Vazhdimisht synojnë drejt pushtetit më të lartë, atyre u mjafton ideja për të qënë të pushtetshëm, sepse janë ngopur me dekoratat dhe veshjet që u jep pushteti. Janë ambiciozë, si mjeshtër të përkryer të intrigës, ata vlerësojnë vetëm mundësinë reale të pushtetit. Janë pak apo janë shumë, kjo nuk ka rëndësi, e rëndësishme është që i janë ngulur pushtetit dhe nuk i shqiten më asnjëherë, sepse kanë mësuar gjithë labirinthet dhe rrugët që të mbajën fort lidhur me majën.
Kjo jetë dhe ky vend është një gazermë e madhe mendimesh, filantropish që fillojnë me butikët e buzëqeshjeve utopike dhe përfundojnë me detet e milionave të ardhura, nga ku nuk ta pret mendja. Doni të merrni pjesë në fushatat e tyre e të dëgjoni si i thurin fjalitë? Si e kanë buzëqeshjen? Është e pamundur të durosh deri në fund fjalët e tyre të urta dhe të vërtetat e tyre meskine, pasi urtësia e tyre vjen erë kënete, kjo bindje të krijohet menjëherë sapo dëgjon tek ata kukatjen si të bretkosave. Janë të neveritshme hartimet që thurin e recitojnë duke spiunuar gishtat e njëri-tjetrit, duke i rrasur grushta njeri-tjetrit, duke mos pasur dëshirë t’i afrohen njëri-tjetrit, ndërkohë që nuk kanë kaluar dyzetë ditët e njohura “të zisë”, shtrohen në gostira dhe afera të paskrrupullta, ku nuk merret vesh cili është jeshil e cili është i verdhë. Nga gjithë kjo duhen disa njerëz që të kryqëzohen për hir të asaj që nuk duhet të tundet prej vendit. Me historinë e përditshme të errësirës së arsyes patjetër që do kryqëzohet ai që i ka xhepat bosh dhe ideali i tij i sinqertë nuk vlen asnjë grosh. Si nuk e kuptojmë se po kryqëzohemi duke iu hedhur në fyt njëri-tjetrit e po gëzojmë hantikapët e pacënuar kurrë për shkak të kartelës së paprekshmërisë, të patundshëm nga karrigia dhe froni. Është çasti që njeriu të verë në punë mençurinë e tij, sidomos njerëzit e politikës. Frenimi i marramendjes drejt majave, ndalimi, largimi, mënjanimi u jep atyre mundësi ta shohin e ta llogaritin më mirë lojën e forcave politike. Të gjithë po përgatiten të shijonë këtë lloj panairi vlerash dhe shijesh të përmbysura, ku emra pas të cilëve fshihen karaktere dhe mençuri janë aq të rrallë sa do të përbalten nga fizionomia e llumit, që i mbështjell prej mëse katërmbëdhjetë vjetësh disa prej të pashkulurve kurrë, sikur të ishin lisa të moçëm e të mbushur me gojëdhëna. Do të vizitojmë një Panair të madh kotësish, ku do njerëzit pa librezë punësimi, të sëmurët me valixhe shtresash e ushqimesh të mbartur spitalesh, mësuesit e varfër sa pensionistët e ZP-së, ku gratë e paidentifikuara si qenie njerëzore do të bashkudhëtojnë si në sfilatë me mençurinë politike që ecën shtrembër, do të shikojnë si do të rrëzohen statujat prej balte. Do Zoti dhe parandjejnë ringritjen e tyre të të përvuajtur dhe dallojnë para se të firmosin fletën e votimit dëshirën e marrë të këtyre statujave për të falenderuar atë që e përmbysi.