“Burg pa afat” të rinjve, u kapën me 7 kg hashash
TIRANE – Gjykata e Tiranës vendosi dje masat e sigurisë “arrest në burg” për katër të rinjtë, që u kapën tre ditë më parë gjatë operacionit policor të koduar “Hëna e plotë”. Sipas prokurorit që kishte drejtuar hetimet paraprake, dy vëllezërit Besmir dhe Ervis Koleci, 24 dhe 19 vjeç; kushëriri i tyre Xhevat Koleci, 19 vjeç; të tre banues në Bathore, Tiranë; si dhe Admir Doda, 24 vjeç, banues në Tiranë; të katër me origjinë nga Burreli u arrestuan në afërsi të Urës së Babrrusë, të dyshuar si shpërndarës së lëndëve narkotike në zonat periferike të kryeqytetit Bathore, Kamzë dhe Laprakë. Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia në një mjet të tyre tip “Benz” dhe në banesën e dy vëllezërve, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi prej 7 kg e 227 gramë bimë narkotike “Cannabis Sattiva”. Po kështu, policia gjeti dhe sekuestroi edhe një sasi farash të bimës narkotike me peshë 206 gramë. Vetë të arrestuarit dhe avokatët e tyre, para gjyqtares së gatshme të kësaj jave pohuan se kërkonin lirimin pasi ishin të pafajshëm. fa.ma.