E Diel, 1 Nëntor 2026

Vritet pas festës 20-vjeçari



Një i ri qëllohet për vdekje, vetëm 10 metra larg lokalit ku kishte dëfryer, teksa jeta e shokut të tij qëndron e varur në “fije të perit”. Ajo që duhej të ishte një “party” mes një grupi të rinjsh 17-20 vjeçarë ka përfunduar tragjikisht në lagjen bregdetare të Durrësit. I vdekur në vend nga plumbat e një arme zjarri ka mbetur 20-vjeçari Klejdi Myzyri, teksa është plagosur rëndë adoleshenti me inicialet E.ç. rreth 18 vjeç. Autorët e këtij krimi, sipas policisë janë I.C., vetëm 16 vjeç dhe Rad Buçpapaj, 18 vjeç. Mësohet se dy viktimat kishin pak sekonda që kishin lënë lokalin “Sydney”, ku gjimnazistë ose studentë mblidheshin në fundjavë. Ata janë qëlluar nga një distancë e afërt me pistoletë, teksa përshkonin rrugën e universitetit. Ngjarja ndodhi në orën 15 e 15 minuta, kohë në të cilën grupet e të rinjve po linin festën. Pasi kishin dalë së bashku dhe po ecnin në trotuar dy të rinjtë janë vënë në shënjestër të një pistolete, që sipas gëzhojave të mbledhura në terren mendohet se është e tipit “model 54”. Atentatorët kanë zbrazur mbi dy djemtë të gjithë karikatorin prej gjashtë fishekësh. Mësohet se 20-vjeçari Klejdi Myzyri ka pësuar hemorragji vdekjeprurëse, pasi plumbat i prekën organet jetësore dhe arterien. Ai ka ndërruar jetë pak minuta pas të shtënave. E rëndë paraqitet situata për të mbijetuarin e vetëm të atentatit, 18-vjeçarin me inicialet E.ç. i cili pasi ka marrë ndihmën e parë në Durrës, është dërguar urgjent në spitalin ushtarak të Tiranës. Mësohet se dy personat që u vunë në shënjestër, janë banorë të lagjes 18 të Durrësit dhe asnjëri prej tyre nuk kishte precedentë penalë. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje të rëndë, patrulla të shumta policie rrethuan zonën tek ish-shëtitorja “Vollga”, ndërsa kanë nisur operacionet e gjera në terren për identifikim dhe kapjen e autorit. Marrja në pyetje e të rinjve që ndodheshin në festë ka hedhur dritë mbi një sherr banal mes dy të qëlluarve dhe personave të tjerë. Dy djemtë, I.C. dhe Buçpapaj u identifikuan si autorët e dyshuar, të cilët u arrestuan pak orë pas krimit, bashkë me armën. Pritet që dëshmia e tyre të zbardhë dhe shkaqet e grindjes, ndërsa policia po kryen ekspertizën mbi pistoletë, për të gjetur se kush qëlloi për vdekje Myzyrin dhe plagosi 18-vjeçarin. Dyshohet se të katër protagonistët, banorë të së njëjtës lagje, të kenë pasur konflikt të mëparshëm, por që janë përballuar sërish në lokal mesditën e djeshme. Autorët kanë dalë të parët nga lokali, për t’u zënë pritë dy djemve. Adoleshenti i arrestuar mësohet se është djali i Luan Currit, i ekzekutuar në janar të këtij në lokalin e tij, ngjarje ku humbën jetën dhe dy persona të tjerë. Sipas policisë, vrasja e të riut Myzyri nuk ka lidhje me krimin ndaj të atit të 16-vjeçarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›