Durrës, 15 kandidatë për kreun e akuzës
TIRANE - Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme pritet të zgjedhë këtë javë mes 15 kandidatëve, kreun e ri të Prokurorisë së Durrësit. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme mësohet se deri më tani, plot 15 prokurorë, madje emra të njohur të prokurorëve në Tiranë dhe në rrethe, janë regjistruar si kandidatë për të marrë drejtimin e Prokurorisë së Durrësit. Zgjedhja e kryeprokurorit të ri të Durrësit ishte parashikuar të bëhej javën që shkoi, por anëtarët e Këshillit nuk ishin të pranishëm në mbledhje në kuorumin e nevojshëm dhe për këtë shkak mbledhja u shty. Disa prej anëtarëve munguan në mbledhje për shkak të pjesëmarrjes në analizat vjetore të punës, datat e të cilave ishin caktuar që më parë. Në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit prej disa muajsh është një prokuror i komanduar nga Prokuroria e Përgjithshme (Bujar Sheshi), deri në zgjedhjen e kreut të ri të institucionit. Ndërkohë, për të marrë drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, vihet re se kanë kandiduar prokurorë që drejtojnë Prokurori të mëdha në rrethe, përfshi Fierin, Shkodrën, Beratin etj. Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme pritet të dëgjojë përshkrimet mbi CV-të e 15 kandidatëve, si dhe një përmbledhje të platformave të tyre dhe më pas do të vendosë me shumicë anëtarësh propozimin që do t'i bëhet Prokurores së Përgjithshme. Kjo e fundit më pas, nëse kryeprokuror në Durrës zgjidhet një anëtar aktual i Prokurorisë së këtij qyteti, kryen emërimin me procedurë të thjeshtë, ndërsa në rastin kur drejtuesi është nga një prokurori tjetër, kërkohet dekret nga Presidenti. Këshilli ka në shqyrtim ndërkohë, masa disiplinore ndaj prokurorëve të gjetur me shkelje: Drini Pali, Dritan Gina, Ilir Turja, Eduart Karriqi dhe Driton Gripshi.
15 kandidatët
Dritan Rreshka
Adnand Xholi
Përparim Kulluri
Altin Bino
Artan Madani
Elvin Gogaj
Xhemal Saliu
Elison Sadiku
Anton Martini
Ardian Ylli
Arben Dyla
Dritan Gina
Granit Shahu
Ramadan Troci
Ylli Basha