E Diel, 1 Nëntor 2026

Veshje firmato pa doganë, arrestohen dy tregtarët



Etleva Delia

Dy tregtarë nga Durrësi, që zhvillonin aktivitetin e tyre në Tiranë, janë arrestuar mëngjesin e djeshëm, në momentin kur po shkarkonin nga makina veshmbathje që i kishin sjellë kontrabandë nga Italia. Pas dy muajsh hetime, operacioni i Antikrimit Ekonomik të Tiranës, i koduar "Levi's", si marka e veshjeve firmato që shisnin dy tregtarët, ka sekuestruar veshmbathje me vlerë rreth 290 mijë euro. Bilanci i operacionit të Antikrimit Ekonomik të Tiranës dhe oficerëve të Hetimit të Krimeve është arrestimi i dy personave, sekuestrimi i një automjeti dhe i xhinseve, bluzave e çantave të futura kontrabandë në vendin tonë. Në pranga kanë përfunduar durrsakët Artur Terziu, 34 vjeç dhe Erion Lazimi, 21 vjeç. Burime nga policia thanë se Terziu dhe Lazimi janë kapur në flagrancë teksa po shkarkonin 2300 palë xhinse, 1800 bluza dhe 1350 çanta femrash, nga një furgon, me të cilin i kishin transportuar nga Durrësi. Malli futej kontrabandë në Portin e Durrësit, me ndihmën e një personi të tretë, që ende nuk është identifikuar dhe më pas transportohej drejt Tiranës, në rrugën "Hoxha Tahsim", ku dy tregtarët kishin butikun ku shisnin me çmime mjaft të shtrenjta veshjet kontrabandë. Të njëjtat burime konfirmuan se gjatë verifikimit të mallit të sekuestruar nuk është gjetur asnjë lloj dokumentacioni të zhdoganimit në port. Gjithashtu, nga dokumentacioni rezultoi se malli nuk kishte asnjë dokument të origjinës se ku ishte blerë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe një furgon me targa të Durrësit, me të cilin ishin transportuar xhinset, bluzat dhe çantat nga Durrësi në Tiranë. Burimet sqaruan se dy tregtarët mbaheshin prej dy muajsh në hetim nga policia, por pasi ishin siguruar të gjitha provat e nevojshme, ata u vëzhguan nga Durrësi kur shkarkuan mallin nga trageti dhe u shoqëruan në distancë nga policia deri sa u arrestuan në flagrancë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›